E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët: Këtë javë do të dalë Juna

Imoraliteti, mentaliteti, seksi, shtëpitë publike, kanë qenë disa nga temat që kanë nxitur debat në shtëpinë e "Big Brother". Nominimet dhe spektakli i së shtunës kanë kthyer vëmendjen te një nga banorët që duhet të dalë. Pjesa më e madhe e tyre beson se do të jetë Juna që do të lërë këtë javë shtëpinë.

"Adela Bjordi, çifti më i fortë!"

Duke biseduar me Arjanin, Qetsori ka thënë se, për mendimin e tij nëse do të krahasoheshin dy çiftet brenda shtëpisë, Bjordi dhe Adela ishin më të fortë sesa Anjeza me Arjonin. Ai njëkohësisht ka pyetur pse ishte kështu. Sipas Arjanit, kjo ishte rezultat i vështirësisë me të cilën u lidhën ata të dy e njëkohësisht të simpatisë që sipas tij, Bjordi gëzon në publikun jashtë, me të sjellurin dhe të folurën e tij.

Adela: "Kam rënë në kontradiktë!"

Anjeza shikon Bjordin dhe Adelajdën duke u puthur dhe pyet:-"Tani Adela është cilësuar për ju të dy?" Bjordi ia kthen përgjigjen duke i thënë që lidhja e tyre nuk do cilësohet asnjëherë. Adelajda mbështet mendimin e tij dhe shton që ata nuk kanë nevojë për cilësime. Sipas Anjezës, fakti që e kanë bërë publike puthjen e tyre është një lloj cilësimi. Adelajda thotë që njerëzit mund të thonë çfarë të duan për lidhjen e tyre. Anjeza mendon që fjalët e saj bien në kontradiktë me atë çfarë i kishte thënë ditë më përpara. Adelajda i thotë:- "Me sa gjëra kam rënë në kontradiktë unë!"

Moza:"S‘më intereson çfarë thua ti!"

Rregullimi i dollapit ka çuar në debat mes Mimozës dhe Adelajdës. Adelajda i thotë që të heqë rrobat e saj nga dollapi, në mënyrë që Anjeza të vendosë të sajat, por Mimoza acarohet nga mënyrë se si kjo ia kërkon dhe i thotë: "Mbylle gojën!" Adelajda insiston, por Mimoza i thotë që është e zënë me rregullimin e sirtarit të saj. Adelajda vazhdon duke i kërkuar asaj të mos e nervozojë. Mimoza i thotë"-"Nuk më intereson se çfarë thua ti!"

Parashikimet e Bjordit

Eltoni i thotë Adit që Bjordi gjithmonë e ka gjetur se kush nga banorët do dalë, dhe për këtë pyet atë: "Kush do dalë këtë javë?" Bjordi i thotë që është ende herët dhe parashikimet e tij i jep vetëm pas ditës së mërkurë. Adi i kërkon përgjigjen sipas arsyetimit të tij dhe insiston bashkë me Eltonin që ai t‘i kthejë përgjigje. Bjordi mendon që personi që mund të dalë është Juna, por kjo është një përgjigje paraprake e tij. Adi mbështet mendimin e tij, duke thënë që ndien që personi që mund të dalë është banor i ri. Eltoni shprehet që mund të ketë një dalje të dyfishtë dhe thotë që do dalë një banor i vjetër dhe një i ri. Bjordi i thotë që asgjëje nuk i dihet, pasi mund të dalin dhe katër banorë njëherësh.

"Kohë për dashuri pranverore!"

Adi, Ari dhe Qetsori qëndrojnë në kopsht dhe komentojnë kohën. Ari thotë: "Koha është për dashuri pranverore, por jemi mbyllur këtu brenda!" Qetsori i thotë që dhe po mos të ishin kamerat nuk kishte me kë të bënte "dashuri". Ari mendon që pranvera është një stinë që asgjë nuk është e sigurt. Ai vazhdon duke thënë që kërkon një dashuri kur ke dëshirë ta takosh personin tjetër. Adi e pyet nëse këtë dashuri e kërkon jashtë apo brenda shtëpisë. Ari ia kthen: "Jashtë, se këtu janë si "kopshti" në festë!" Ai vazhdon duke thënë që ai mbeti duke qëndruar vetëm me Qetsorin. Adi i thotë: "Ti ke ardhur këtu për lekët!" Ari i thotë që për të lekët nuk janë primare, por jo të panevojshme.

"Pse këtu nuk ka shtëpi publike?"

Duke diskutuar mbi prostitucionin dhe nivelet e ndryshme të tij në shtete të ndryshme, Qetsori ka thënë se në Shqipëri, krahasuar me gjetkë, ai ishte më i ulët. Sipas Junës, kjo që thoshte ai ishte e pabazuar, pasi për këtë nuk kishte statistika. "Në Shqipëri nuk ka shtëpi publike!" - ka thënë Juna. Sipas Qetsorit, hapja e një shtëpie publike, në një shtet me mentalitet kaq të mbyllur, siç ishte Shqipëria, ku femrat nuk i linin të dilnin nga shtëpia, ishte absurde. "Pse të mos ketë një shtëpi publike ku të mbledhësh të gjitha ato që duan ta bëjnë këtë profesion? -ka thënë Juna, - sepse është profesion, - ka cilësuar ajo. Ato paguajnë taksa dhe janë dhe të kontrolluara dhe ata që duan të shkojnë, të shkojnë atje". Sipas Adit, kjo ndodhte për faktin e mungesës së legjislacionit përkatës.

"Ti ke mentalitet të prapambetur!"

"Ti nuk je e emancipuar, ti ke një mentalitet të prapambetur!" - i ka thënë Ari Junës, gjë të cilën ajo e ka mohuar kategorikisht. Debati mes të dyve ka nisur kur Juna, duke folur për prostitucionin dhe shtëpitë publike, ka thënë se edhe në Shqipëri duhet të kishte të tilla dhe se ajo nuk e kuptonte pse të mos kishte. "Ta them unë pse!" - i ka thënë Ari dhe ka shtuar se kur një femër si ajo që kishte jetuar 10 vjet në Gjermani, nuk ishte e hapur ndaj përdorimit të disa fjalëve, si mund të ishte kjo shoqëri ndaj shtëpive publike. Sipas Junës këto dy gjëra nuk kishin aspak lidhje me njëra-tjetrën. Ajo i tha se ia kishte shpjeguar shumë herë, por "ai aq kishte". Ari i ka thënë se fjalë dhe gjeste të tilla nuk i shkonin një femre të emancipuar, siç pretendonte ajo të ishte.

"Çfarë përfaqëson Adela?"

Debati mbi mentalitetet dhe moralin ka vazhduar mes banorëve. Me largimin e Adelës, banorët kanë diskutuar edhe mbi mentalitetin e saj. Sipas Adit, ata nuk mund të pretendonin që Adela të mendonte, p.sh si një holandeze. Por, sipas Junës, ajo nuk duhej t‘u tregonte atyre si ishte Shqipëria, ndërkohë që dhe ata e njihnin dhe e dinin si ishte Shqipëria. Adi ka thënë se Adela përfaqësonte vajzën shqiptare. "Adela përfaqëson një pjesë të vajzave shqiptare!" - ka thënë Juna. "Adela përfaqëson atë që është!" - ka saktësuar Eltoni. "Po unë çfarë përfaqësoj?" - ka pyetur Juna Adin që ka saktësuar se Adela përfaqësonte një model të vajzave shqiptare, që për Arin ishte më i madh në përqindje sesa modeli që mund të përfaqësonte Juna apo dikush tjetër. "A mund të më thuash çfarë përfaqëson Adela?"- e ka pyetur Juna Arin që ka thënë se sipas tij ajo ishte modeli i një vajze nga një qytezë e vogël, me një familje tradicionale, me një jetë normale. Ari ka shtuar se Adela kishte ndryshuar, kishte përparuar, në krahasim me atë çfarë mund të kishte qenë kur kishte hyrë në fillim në shtëpinë e "Big Brother". "Pse të gjitha debatet që fillojnë për gjë tjetër, përfundojnë po tek Adela?" - ka pyetur Adi. Banorët i kanë thënë se kjo ndodhte ngaqë Adela bëhej vetë pikë referimi. Sipas Qetsorit ndikonte edhe injoranca e Adelës, sepse ne mundohemi që t‘ia shpjegojmë asaj gjërat sesi janë në të vërtetë. "Ajo e zhyt debatin në injorancë dhe ne mundohemi t‘i nxjerrim nga injoranca!" - ka thënë ai. Sipas tij, ky ishte edhe një vlerësim që ata i bënin Adelës, sepse në të kundërt ata mund edhe ta anashkalonin. Sipas Arjonit, Adela e mbronte atë që mendonte dhe rrjedhimisht kjo gjeneronte debat, pasi nëse ajo nuk do të fliste, nuk do të debatonin me të. Adi ka thënë se kjo mënyrë e Adelës, po eklipsonte Mozën dhe problemet e saj. Arjoni ka thënë se Mimoza ishte ajo që nuk fliste, ndërsa Juna ka shtuar se ata nuk kishin si t‘i dinin problemet e Mozës, kur kjo e fundit nuk i tregonte. "Adela flet, me Adelën do të flasim!" - ka thënë ajo.

"Është normale të flasësh për seksin?"

"Pse e ke kaq problem të flasësh për seksin?" - e ka pyetur Juna Adelën. Sipas Junës, kjo ishte një gjë më se normale dhe nuk e kuptonte pse Adela bënte kështu. Adela i është përgjigjur se ajo e konsideronte si një gjë shumë intime, për të cilën nuk mund të fliste me disa njerëz që sapo i kishte njohur. Më pas, e pyetur nga Ari, Juna ka thënë se për të seksi është gjëja e dytë më e bukur në botë, por nuk mund ta tregonte kush ishte e para, pasi ky ishte sekreti i saj. Diskutimi ka përfshirë më pas edhe të tjerët. Jo të gjithë kanë qenë dakord se duhet të flasësh hapur mbi eksperiencat e ndryshme të tipit seksual, apo të tjera gjëra të të njëjtit kuadër. Sipas Arit kjo do të thoshte të ishe i mbyllur dhe me komplekse, gjë për të cilat ata më kot kishin akuzuar "zyshën", kur të gjithë ishin pothuajse kështu. Sipas tij ishte normale që kur njihje dikë, ta pyesje për këto gjëra, por jo sipas Arjonit apo një pjese tjetër të banorëve. Anjeza tha se ndoshta disa personave mund t‘ua tregojë, por disa të tjerëve jo. "Domethënë ti nuk do të m‘i tregosh mua?" - i ka thënë Ari. "Po" - i është përgjigjur Anjeza.

"Ti mendon se shtirem?"

Duke biseduar me Eltonin, Juna i ka treguar këtij të fundit një pyetje që i kishte bërë Adela. "Ti Juna mendon se unë shtirem?" - e kishte pyetur ajo. Juna tregoi gjithashtu se ajo i kishte thënë që po, që për mendimin e saj ajo shtirej. "Ti e di!" - i kishte thënë Juna asaj. "Asaj ka filluar t‘i djegë shumë!" - ka thënë Eltoni. Sipas tij, Adela mendonte që ata dinin diçka. Juna i ka thënë se ajo mund të mos i dinte ato që dinte ai, por ajo i kuptonte gjërat me logjikë. Sipas Junës, ajo nuk e paragjykonte Adelën për këtë që bënte, por nuk mund t‘i thoshte të kundërtën e asaj që mendonte.

"Të gjithë mendojnë që do të dalësh!"

"Ti nuk duhet të biesh pre e sulmeve idiote që të bëjnë, qoftë Ari, qoftë kushdo tjetër!" - i ka thënë Eltoni Junës. Ajo i ka thënë se e dinte këtë gjë dhe prandaj kishte filluar të tallej. Eltoni ka vazhduar duke i thënë se të gjithë mendonin se do të ishte ajo që do të dilte këtë të shtunë. "Edhe mund të dal!" - i është përgjigjur ajo. Ai ka shtuar se jo thjesht mendonin, por ishin të sigurt, por ka saktësuar se këtu nuk përfshihej as ai, as Arjoni, as Anjeza, as Adi. Ajo ka thënë se mbeteshin pak a shumë ata që e kishin nominuar. Ajo i ka treguar Eltonit edhe se e kishte marrë vesh që e kishte nominuar edhe Moza. "Unë s‘mund të të thoja, - i ka thënë ai, -sepse nuk doja të krijoja konflikte."

"Vajza fetare - leksione puthjesh!"

Në vijim të bisedës mes të dyve, Juna i ka thënë Eltonit se nuk i pëlqente fare që Adelajda thoshte "Shqipëria kështu, Shqipëria ashtu, kur në fundit të fundit, ajo ishte nga Kavaja dhe Juna nga Tirana, që gjithsesi ishin dy botë të ndryshme. Juna ka shtuar se me tjetër sy e shihte Bjordin dhe me tjetër Adelën dhe ajo çfarë nuk mund të duronte dot ishte morali i dyfishtë. "Vajza fetare që po na jep leksione puthjesh!" - ka komentuar Eltoni, duke shtuar se ajo po mundohej t‘i bënte budallenj.

Të gjithë në një dhomë

Vëllai i madh ka vendosur që të gjithë banorët të flenë së bashku, në një dhomë, gjë për të cilën ata kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Deri një ditë më parë, ata ishin të ndarë në dhomat e gjumit ku në njërën dhomë flinin banorët e rinj dhe në tjetrën banorët e vjetër. Ata kanë sistemuar krevatet vetëm në njërën nga dhomat, përkatësisht te dhoma e banorëve të vjetër dhe kanë zgjedhur se si do të flenë. Arjoni nuk ka pranuar që të flejë në krevatin afër derës, duke menduar se mund t‘i sjellë ters, pasi është në nominim këtë javë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›