Banorët: Projekti më i mirë për zonën, shpronësohen 204 objekte dhe afro 38 mijë metra katror troje
Shpronësimet për Bulevardin e ri të Tiranës
Procesi i shpronësimit për bulevardin e ri të Tiranës do të përfshijë 204 objekte dhe afro 38 mijë metra katror troje. Për ndërtesat, fondi i vënë në dispozicion nga qeveria është afro 845 milionë lekë, ndërsa për trojet, janë mbi 912 milionë e 6 mijë lekë. Pronarët e banesave dhe trojeve e konsiderojnë ndërtimin e bulevardit si projektin më të mirë për zonën. Përllogaritjet e sipërfaqeve në terren janë bërë nga ekspertë të Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim Agjensinë e legalizimeve. Kryebashkiaku Basha ka siguruar banorët që preken nga shpronesimet se do të dëgjojë çdo pretendim teë tyre dhe se do të korrigjojë çdo shpronësim të bërë në parametra të pamerituar. Në mbledhjen e fundit të qeverisë Berisha , Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për shpronësimin për interes publik të pronarëve dhe poseduesve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, faza e I-rë”, në Bashkinë e Tiranës. Për vënien në zbatim të projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza e I-rë, në Bashkinë e Tiranës, pas analizës teknike të kryer nga grupet teknike të punës të ngritura pranë Bashkisë së Tiranës, është konstatuar nevoja për shpronësimin e pasurive troje në pronësi private me sipërfaqe totale prej 38.642 m² dhe 204 objekteve të ndërtuara, në pronësi apo posedim privat. Referuar informacionit zyrtar dhe verifikimeve në terren të kryera nga grupet e punës të ngritura nga Bashkia e Tiranës me qëllim kontrollin, evidentimin dhe vlerësimin e masës së shpërblimit për objektet e banimit, objektet industriale dhe bujqësore, janë identifikuar si pasuri private të domosdoshme për t’iu nënshtruar procedurave te shpronësimit për interes publik, pasuri troje pronë private gjithsej 58 me sipërfaqe 38.642 m², të ndodhura në Zonat Kadastrale 8340 dhe 8330. Pas shqyrtimit të dokumentacionit u arrit në konkluzionin se: Për sipërfaqen prej 38.642 m² truall, vlerësuar me çmimin 26.137 lek/m² të ZK 8330, si dhe 23.217 lek/m² të ZK 8340, me vlerë totale 912.622.642 (nëntëqind e dymbëdhjetë milion e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e gjashtëqind e dyzet e dy) lekë. Ndërsa për 204 objekte, sipas matjeve në terren nga grupet e punës, si më lart dhe bazuar në çmimet e Entit Kombëtar të Banesave, vlera totale është 844.853.879 (tetëqind e dyzet e katër milion e tetëqind e pesëdhjetë e tre mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë. Fondi prej rreth 12.5 milionë eurosh për kompensimin e pronarëve që do të shpronësohen do të përballohet nga Bashkia e Tiranës.