E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/ Edvini kthen bunkerizimin e bashkisë në qeverinë e re

09-09-2013 / Gazeta 55

Ministrat e përzgjedhur nga Edi Rama që ditën e parë të mbledhjes së qeverisë kanë firmosur  të ashtuquajturin “Kodin e Vlerave Etike të ministrave”. Gjatë punës së tyre si pjesë e kabinetit qeveritar, Kodi i orienton ministrat se si duhet të jetë komunikimi mes tyre, me qytetarët, me deputetët, por dhe me mediat. Edhe pse pak detaje jepen për këtë dokument që qeveritarët e rinj e ruajnë me shumë fanatizëm, ajo që duket është se ky Kod, të paktën në marrëdhënien e kabinetit qeveritar me mediat, ka filluar nga zbatimi që në mbledhjen e parë që Rama zhvilloi me ministrat e tij në Vlorë. Pas mbledhjeve, si në Vlorë, ashtu edhe në Shkodër, ministrat e rinj nuk kanë pasur asnjë komunikim me mediat, madje nuk kanë tentuar të përgjigjen në celular. Pak ditë më vonë, kur presioni i pikave të këtij Kodi ka qenë më i largët, disa nga ministrat e rinj janë shprehur se “nuk mund të komunikojnë asgjë nga diskutimet që zhvillohen në mbledhjet me Kryeministrin e zgjedhur, pasi duan të ruajnë etikën e re për të cilën kanë firmosur në një dokument”.
Mësohet se një nga pikat e Kodit është dhe komunikimi zyrtar që ministrat do të kenë me publikun, pasi të kenë marrë detyrën. Çdo deklaratë apo komunikim me mediat, para publikimit do të kalojë më parë nga Drejtoria e Komunikimit që do të ndodhet pranë Kryeministrit Rama. Mirëpo ndërprerja e marrëdhënieve me median për dy ditë e kryeministrit në ardhje Edi Rama është dhe një sinjal për mos transparencën që do të shoqërojë në të ardhmen mbledhjet e qeverisë së majtë. Dhe kodi oreullian i “Vlerave etike”, është bërë për të heshtur në çdo kontakt me gazetarët dhe kolegët duke instaluar një kulturë heshtje të denjë për një organizatë mafioze. Padyshim qytetarët presin nga mbledhjet e qeverisë Rama të marrin ndonjë sinjal sesi do të jetë vendimi për legalizimet falas, sa do të legalizohet dhe sa do të prishen, si dhe cili do të jetë kriteri i përzgjedhur në marrjen e këtyre masave. Nga ministri në ardhje i Ekonomisë dhe Financave, Ahmetaj dhe Cani, qytetarët kërkojnë sesi do të financohet nga buxheti i shtetit premtimi për uljën e taksave të 95 % të shqiptarëve dhe të heqjes së taksës së biznesit të vogël. Ndërsa nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja qytetarët kërkojnë të mësojnë kur do të jetë shëndetësia falas dhe kur nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore, të mos kenë më problem me ilaçet dhe shume premtime të tjera në këtë fushë. Po ashtu nga ministri i Mirëqenies dhe Rinisë, Erion Veliaj 1 milion qytetarë të identifikuar prej tyre si të pa punë,  si do të konkurrojnë për kapur një prej 300 mijë vendeve të punës të reja të premtuara. 
Gjithashtu këtyre premtimeve kryeministri në ardhje Edi Rama dhe 19 ministrat e tij, Shkëlqim Cani, Saimir Tahiri, Mimi Kodheli, Ditmir Bushati, Klajda Gjosha, Nasip Naço, Arben Ahmetaj,Gjiknuri, Eglantina Gjermeni, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Ilir Beqja, Lindita Nikolli, Erjon Veliaj, Mirela Kumbaro, Lefter Koka dhe ata ministrat pa portofol Milena Harito, Blend Çuçi, Ilirjan Celibashi, do të duhet t’u japin përgjigje sa më shpejt.
Sidoqoftë një gjë është e sigurtë: Edi Rama nuk mund të përdorë tiparet e një organizate të fshehtë duke futur në bunker ministra, që sipas fjalës, janë shërbëtorë të interes publik dhe jo të interesave okulte. Një qeveri e dalë nga zgjedhjet e rregullta dhe të gjithë pranuara ndërkombëtarisht s’mund të sillet në këtë mënyrë. Sindroma e ish-bllokut ku udhëheqja bënte çfarë të donte pa pyetur kërkënd  nuk mund të shërbejë më për të qeverisur një vend demokratik, të anëtarësuar në NATO, KiE, OSBE dhe pritet të anëtarësohet në BE. Transparenca e vendimmarrjes dhe kultura e komunikimet me mediat, që janë ndërmjetësuesit të mesazhit, është Abc-ja e një qeverisje të mirë dhe pa eksese.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›