Banorët ankohen për kompensim të pronave

Kur erdhi koha ta meremetojnë, po u duhet ta demolojnë. Familja Vërbovci nga Bardhoshi u detyrua të veprojë kështu, për t’ia lëshuar rrugën, autostradës Bardhosh – Sllatinë, punimet e së cilës ka disa javë që filluan.
E nga, anëtarët e saj këtu do të largohen të pakënaqur, me pagesën që iu bë nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.
“Shpinë ma kanë pagu 37 mije euro, e trollin 13 ari ka 800 euro” ka thënë Hamdi Vërbovci, pronar i tokës.
Me gjithë pakënaqësitë, Vërbovci i mori paratë e ofruara për shpronësim. Megjithatë, është ankuar edhe në Gjykatën Supreme.
“E kanë llogarit si me kon mal” ka thënë ai për KlanKosovën. Të pakënaqur me pagesë janë edhe anëtarët e familjes Neziri, nga po i njëjti vendbanim.
Për 4 ari truall, bashkë më shtëpi, atyre iu ofruan 22 mijë euro.
“Me 22 mijë euro nuk na dalin as për troll as për banesë, as” ka thënë Miradije Neziri, pronare. Por, në këtë familje thonë se prishjen e shtëpisë nuk do ta bëjë vetë.
Drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë të Ministrisë së Financave, Shkelzen Morina, tha se ekspertët e kompanisë që u angazhuan, vlerësuan se vendi ku janë këto shtëpi, meritojnë atë pagesën e ofruar.
Ai shtoi që në rast të pakënaqësive, të gjithë banorët mund të ankohen në Gjykatën Supreme. Në rast se kjo e fundit u jep të drejtë, mjetet do t’u shtohen, e nëse vlerësimi është se pagesa për shpronësim është e tepërt, paratë e marra duhet të kthehen nga pronarët./Indeksonline/