E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Boboshticës: Ata që dhunuan varret tona janë në Greqi

05/04/2011  Naum Disho: Na duhet një rrugë në varreza se u bëhen grekëve këmbët me baltë

KORÇE- Ishin dhunuar varret e Boboshticës ose jo; a kishin mbetur eshtra të vdekurish mbi sipërfaqen e tokës; a kishin dijeni tre të pandehurit që kryen punimet së bashkë me betonin po betononin edhe një pjesë të varreve; a ishin ata të pajisur me leje për kryerjen e punimeve të tilla; nëse banorët ishin kundër punimeve si u bë e mundur që ndërtimet të realizoheshin; sa është numri i varreve të dhunuara, si dhe një sërë pyetjesh të tjera, së fundi morën përgjigje në seancën e radhës gjyqësore të zhvilluar ditën e hënë në gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë, ku ishin të pranishëm tre të pandehurit, Naum Disho, Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe, të cilët akuzohen për veprën penale të dhunimit të varreve të Boboshticës në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e ndërtimeve pa leje në bashkëpunim. Pyetjeve të ngritura nga organi i akuzës u dhanë përgjigje banorë të fshatit Boboshticë, të cilët në këtë seancë gjyqësore ishin të pranishëm si dëshmitarë që kishin dijeni mbi ngjarjen. Numri i dëshmitarëve ishte i madh, çka solli që seanca gjyqësore në fjalë të ishte një maratonë e vërtetë. Për herë të parë nga një dëshmitar u pohua se ata që kishin dhënë urdhër për kryerjen e punimeve janë në Greqi. Megjithatë, dëshmitë që u sollën ishin tejet rrëqethëse.

Varrezat

Banorë të fshatit Boboshticë, të thirrur si dëshmitarë në këtë seancë gjyqësore, treguan njëri pas tjetrit me një dhimbje të dukshme për atë çfarë kishte ndodhur me varret e të parëve, ku herë pas here binte në sy dhe gjendja emocionale e dëshpëruar e tyre. Sipas dëshmitarëve, varreza në pjesën e sipërme të fshatit është varreza më e vjetër e Boboshticës, ku ndodhet një numër i madh varresh. Dendësia e varreve ishte e madhe, thanë dëshmitarët, pasi territori i varrezës kishte qenë i vogël dhe për këtë arsye të vdekurit varroseshin shumë pranë me njëri-tjetrin. Askush nuk mund të thotë me siguri, se sa është numri i varreve, por ajo çka deklaruan dëshmitarët kishte të bënte me faktin se në një varr mund të gjendeshin dhe eshtrat e 7 të vdekurve, pasi kohë pas kohe eshtrat e të vdekurve i vendosin në një varr të vetëm. Dhe jo vetëm kaq, në varrezën e vjetër kishin pasur varret e tyre edhe njerëz të nderuar të këtij fshati, intelektualë apo njerëz të pasur që kishin ndihmuar në krijimin e infrastrukturës që lidhte këtë fshat me qytetin e Korçës. Një dëshmitar tregoi se si Naum Disho i kishte kërkuar t’i betononte varrin e gjyshit që bazamenti i kryqit të dilte sa më i bukur. Jo rrallë herë kjo seancë gjyqësore u shoqërua nga dhimbja dhe humori i zi.

Ata që na urdhëruan janë në Greqi

“Për fillimin e punimeve në varrezën e fshatit tonë nuk na pyeti askush, tha dëshmitari Sotir Koço, 61 vjeç, banor i fshatit Boboshticë, njëherazi dhe kujdestar i kishës. Gjithçka nisi krejt papritur. Një mëngjes sollën dërrasa dhe mjete të tjera, ndërsa ditën tjetër nisën nga puna për krijimin e armaturave ku do të hidhej beton”. Pas kësaj, Koço tregoi gjithë peripecitë e tij për të ndalur punimet, duke i zbuar dy punëtorët Ali Koroveshin dhe Luan Zaçen, por ata do të riktheheshin përsëri. Kur i kishte pyetur se nga kush e kishin marrë këtë urdhër për kryerjen e punimeve, dy të pandehurit e përmendur më sipër i ishin përgjigjur: “Ata që kanë dhënë urdhrin janë në Greqi”, por pa specifikuar konkretisht se kush kishin qenë ata. Pas përplasjes së tij, (të Sotir Koços), dhe dy punëtorëve, në varrezat e Boboshticës ishte shfaqur i pandehuri tjetër, Naum Disho, ku ky i fundit i kishte deklaruar se punimet do të vazhdonin. “Përveç meje, punimet u kundërshtuan edhe nga prifti Jani Trebicka, edhe nga banorë të fshatit Boboshticë, por Naum Disho nuk hoqi dorë nga kryerja e punimeve deri sa i realizoi ato”, tha Sotir Koço, kujdestari i kishës, i cili ka tre varre të të parëve të tij në atë varrezë.

Rruga, për grekët

Në vijim të dëshmisë së tij, Sotir Koço, një nga dëshmitarët kryesorë të kësaj ngjarjeje, tha se Naum Disho i kishte gënjyer, duke u thënë se për kryerjen e punimeve kishte marrë leje nga komuna e Drenovës, gjë që tashmë nuk rezulton e vërtetë, sepse kryetari i komunës, Flamur Sala, e ka hedhur poshtë dhënien e një leje të tillë. Veç kësaj Naum Disho u kishte thënë se kishte pasur si qëllim të bënte diçka të bukur në varrezat e tyre, por që si përfundim “e bukura” përfundoi me betonimin e varreve të të parëve të Boboshticës dhe me zbulimin e eshtrave të disa të vdekurve të tjerë. Megjithatë, thanë dëshmitarët, kur e pyetëm Naum Dishon se përse duhej kjo rrugë në varreza, ai na u përgjigj: “Rruga duhet se grekëve u bëhen këmbët me baltë”. Ndërsa një dëshmitar tjetër, Ilo Melko, tregoi se si i pandehuri Naum Disho i kishte kërkuar që t’ia mbulonte me beton varrin e gjyshit, me qëllim që bazamenti i kryqit të dilte sa më i bukur. Unë pranova, tha Melko, që betoni të shtrihej deri në afërsi të varrit të gjyshit, duke e devijuar këndin e betonit, por ata që ta bënin bazamentin të bukur më mbuluan edhe varrin e gjyshit tim. Bazamenti u bë i bukur, por varri i gjyshit u mbulua nga betoni.

A ishin të dukshme varret aty ku u ndërtua rruga?

Një nga pyetjet e ngritura nga akuza dhe që u prit me mjaft interes edhe nga të pranishmit në sallën e gjyqit, kishte të bënte me faktin nëse varret ishin të dukshëm aty ku të pandehurit po ndërtonin rrugën, apo në të vërtetë nuk kishte mbetur asnjë shenjë dhe të pandehurit nuk e dinin se çfarë po bënin. Përgjigjja që erdhi nga kujdestari i kishës, por edhe nga dëshmitarë të tjerë, ishte kjo: “Jo të gjitha varret ishin të dukshëm, por një pjesë e tyre dallohej qartë, pasi çdo varr kishte te koka një kryq, i cili ose ishte rrëzuar ose ishte thyer, por që kishte dhe varre që shquheshin krejtësisht. Me ndërtimin e rrugës prej betoni u betonuan edhe varret që ndodheshin përgjatë saj. Nëse betoni do të prishet atëherë gjithçka do të saktësohet se sa varre kanë mbetur poshtë betonit. Ndërkaq përmes dëshmive u sollën fakte të tjera për eshtrat e të vdekurve që ishin nxjerrë me lopatë, duke i mbuluar me dhe (baltë) në sipërfaqe të tokës për të mos rënë në sy, por pas disa ditëve kishte rënë një shi dhe gjithë eshtrat kishin mbetur zbuluar. Eshtrat e zbuluara ishin kafka njerëzish, pohuan dëshmitarët. Ajo çka u dëgjua në atë sallë ishte tepër tronditëse. Gjithsesi gjykimi ende vazhdon.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›