E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fadromat shembin e pushtojnë oborret, bashkia ngre supet

05/04/2011  Në lagjen nr. 1, flasin banorët: Gërryerja në oborret me mure e avlli, rrezikohen shtëpitë

DURRES- Një ngjarje krejt e paprecedent ka ndodhur në lagjen numër 1 në qytetin e Durrësit teksa fadromat kanë shembur natën objektet familjare dhe më pas kanë pushtuar oborret. Dhjetë familje janë zgjuar mëngjesin e së hënës të tronditur kur kanë parë se muret, avllitë, garazhet dhe oborret e disa prej ndërtimeve të tyre nuk ishin më. Saktësisht asgjë nuk dihet se çfarë ka ndodhur dhe cilët qëndrojnë pas këtyre veprimeve, por banorët akuzojnë bashkinë. Ata janë shprehur se gjithçka ka ndodhur me dijeni të bashkisë dhe se pas këtyre veprimeve qëndrojnë persona, të cilët kërkojnë të përfitojnë në mënyrë të jashtëligjshme.

Ngjarja

Rreth mesnatës disa mjete të rënda kanë nisur të shembin një nga një avllitë, muret, portat dhe garazhet e disa banesave duke provokuar incident me pronarët e shtëpive. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 1 të Durrësit në vendin e quajtur “Brryli” fare pranë universitetit “Aleksandër Moisiu”. Provokimet kanë të bëjnë me dhunimin e banesës dhe pronës së disa familjeve dhe autorët e këtij veprimi krahas të tjerësh rrezikojnë të ndëshkohen për veprën penale të dhunimit. Të gjitha muret janë shembur në më pak se 30 minuta dhe materialet janë transportuar nga kamionë të mëdhenj të vënë në shërbim. Shefqet Rama, i dëmtuar nga veprimet e jashtëligjshme të personave të mbetur anonim, ka thënë se “Çdo gjë ka ndodhur në orët e vona të natës dhe është mbyllur sapo ka zbardhur dita”. Më tej ka shtuar “Banojmë prej vitesh në këto shtëpi. Një pjesë i kanë banesat në pronësi, të tjerë kanë plotësuar formularët për legalizim dhe presin vendimin e ALUIZNI-t”. Kryerja e punimeve natën ka shtuar dyshimet se pas veprimeve të tilla qëndrojnë njerëz me pushtet. “Kemi shkuar në bashki dhe kemi denoncuar rastin në Policinë e Rendit”,-ka pohuar Rama. Ai bën të qartë se Policia e Rendit ka detyruar subjektin të ndërpresë punën, ndërsa në bashki ende nuk kanë marrë përgjigje. “Policia e ka parë vendin e ngjarjes dhe na ka bërë të ditur se duhet vënë në dijeni Inspektorati Ndërtimor në Bashkinë e Durrësit”,-është shprehur banori, i cili ka thënë se i është cenuar prona e tij. Janë dhjetë familje që janë ndeshur me këtë situatë, por sipas familjarëve, nëse situata nuk do të merret në konsideratë në përplasjen e banorëve me personat që kanë shkatërruar objektet, muret, garazhet. “Është provokim i hapur për të tentuar prishjen e banesave tona njëkatëshe në anë të rrugës tek “Brryli”, por ne do të mbrohemi dhe do të reagojmë me të gjitha mjetet”,-është shprehur i revoltuar shtetasi Shefqet Rama. Askush nuk ka marrë përsipër ndërhyrjen në këtë zonë të qytetit, e cila është e mbushur me ndërtime pa respektuar asnjë lloj projekti e plani rregullues. Konflikti ka lindur pikërisht pak metër larg nga Universiteti i Durrësit në pjesën skajore të shëtitores bregdetare “Taulantja”. Fadromat në të dalë dita janë larguar, ndërsa disa kamion nuk janë lejuar të lëvizin fillimisht nga banorët e revoltuar dhe më pas nga Policia e Rendit deri në sqarimin e konfliktit. Gërryerja ka depërtuar edhe në oborret e rrethuar me mure e avlli, ndërsa disa shtëpi, sipas të dëmtuarve, rrezikojnë të shemben nga gërryerja e dherave. Gjatë këtij veprimi nuk janë kursyer pemët e mbjella, rrushi, sende që janë gjetur në oborre duke krijuar situatë konflikti. Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë dhe as Policia Bashkiake nuk kanë reaguar për këtë incident, por nga ana tjetër nuk janë shprehur nëse do të ndërhynë për të normalizuar situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›