E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Porto Romanos protestojnë kundër TEC-it

Qindra banorë nga Porto Romano, me iniciativën e të rinjve të FRESSH dhe të mbështetur nga PS-ja e Durrësit kanë protestuar kundër ndërtimit të TEC-it në këtë zonë. TEC-i është parashikuar të ndërtohet vetëm 8 km larg qendrës së qytetit të Durrësit, ndërsa në Porto Romano, banesat e para nuk janë më shumë se 500 metër larg tij. Kryetari i FRESSH, Ilir Gjermeni shprehu shqetësimin e tij dhe të rinjve durrsakë për këtë projekt. Nga njëra anë kemi atë çka na ofron qeveria e djathtë, një zonë të ndotur, një ajër mbytës me substanca kancerogjene, një termocentral që prodhon energji elektrike për të huajt dhe vdekje për shqiptarët. Asnjë qytetar evropian nuk mund të pranonte një masakër të tillë ekologjike në vendin e tij. Alternativa tjetër është ajo që dëshirojmë ne të bëhet, zhvillimi i zonës në drejtim të turizmit. Në emër të rinisë eurosocialiste do ju bëja thirrje që mos ti rreshtim protestat derisa tia arrijmë qëllimit tonë të përbashkët. Shqiptarët nuk mund të hyjnë në Europë të ndotur nga bloza e korrupsionit qeveritar, nënvizoi ai. Në këtë protestë, ka qenë i pranishëm edhe sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi. Në fjalën e tij Klosi deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme të mbështesë çdo protestë qytetarësh, që mbahet ndaj padrejtësive të kësaj qeverie. PS është kundër një projekti që grumbullon hekurishtet e Evropës në Durrës. Ne jemi për zhvillimin në harmoni të plotë me mjedisin, dhe jo një zhvillim që rrezikon jetën e qytetarëve, vijoi Klosi. Ndërsa nga ana e tyre, banorët u shprehen se ata nuk mund të rrinë indiferentë para një projekti që nëse do të ndërtohet do të ndotë mjedisin 10 herë më shumë se kombinati metalurgjik i Elbasanit në kulmin e fuqisë së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›