E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI premton reforma në arsim për një orientim drejt tregut të punës

Lideri i LSI, Ilir Meta është pritur me entuziazëm nga qindra të rinj e të reja në një takim të organizuar në Pallatin e Sportit në Divjakë të Lushnjës. Në këtë takim me një pjesëmarrje të gjerë të Lëvizjes Rinore për Integrim të Divjakës, Meta shoqërohej edhe nga deputeti Spartak Braho dhe nga anëtari i Kryesisë, Prof. Tokli Thomai, si dhe të tjerë drejtues të LSI. Pas përshëndetjeve të anëtarëve më të rinj të cilët i janë bashkuar LRI, Meta shprehu bindjen se LSI është forca politike që mendon dhe punon më shumë për të krijuar mundësi të pafundme për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Ndaj është Koha për Veprim, sepse rinia kërkon mundësi më të mira për tu shkolluar, është Koha për Veprim, sepse sistemi ynë arsimor duhet reformuar dhe orientuar drejt tregut të punës, sistemi ynë i përgjithshëm duhet ti lërë vend gjithnjë e më shumë arsimit profesional, sepse kemi nevojë të zhvillojmë një sistem arsimor në funksion të punësimit, në funksion të realizimit të mundësive për të ndërtuar një jetë bazuar në punë e mbi të gjitha në një punë, e cila gjithashtu bazohet në resurset e vendit, theksoi kreu i LSI, Meta duke shtuar se Divjaka ka resurse të jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit. Meta ka vlerësuar më tej se kjo zonë ka resurse të jashtëzakonshme jo vetëm për punësimin e këtij komuniteti të mrekullueshëm dhe jo vetëm të krijojë mirëqenieje për banorët e saj, por njëkohësisht të kontribuojë më shumë për rritjen ekonomike, për të nxjerrë bujqësinë nga kjo krizë e prodhimit dhe për të ndihmuar ekonominë tonë kombëtare që mos të varet në mënyrë aq inferiore nga importet, sikurse ndodh sot edhe me importet bujqësore dhe ushqimore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›