E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e shqetësuar: Renato na njeh pikat e dobëta

është munduar të përshtatet me ambientin dhe me banorët brenda shtëpisë. Renato është banori më i ri i “Big Brother”. Ndonëse e kanë afruar në biseda për ta njohur, mes tyre janë shprehur të shqetësuar se ai i njeh më parë dhe mund ta përdorë këtë për strategji loje

Nominimet, largimi i Valentinës, hyrja në shtëpie e Renatos si banor i ri, buxheti i javës, kanë qenë temat që kanë mbushur bisedat e banorëve gjatë orëve të vona pas spektaklit të së shtunës. Seldi ka pranuar para banorëve se i pëlqen Domenika dhe lidhja me Pamelën ishte veç një lojë. Buxheti i përgjysmuar ka ngjallur diskutime mes banorëve, ndërkohë që janë munduar të kuptojnë natyrën e Renatos, duke shfaqur edhe shqetësim se ai mund ta përdorë strategji për faktin se ka parë nga jashtë sjelljet e tyre.
Diskutime për Renaton
Gjatë darkës pas spektaklit, banorët përfitojnë nga rasti kur Renato shkon në kuzhinë, për të diskutuar mes tyre mbi përshtypjet ndaj tij. Eduardi thotë se iu duk djalë i mirë, por ai është në avantazh ndaj tyre, sepse di të gjitha prapaskenat e çdo banori. Domenika e Olta mendojnë se ai do të qëndrojë me ata persona që i pëlqejnë, por fillimisht duke i njohur personalisht ata. Sipas Bertinës, sado që ai mund t’i ketë ndjekur nga televizori, sërish do ta ketë të vështirë, madje më të vështirë se ata vetë. Jetmiri mendon se ai mund të luajë mirë lojën e tij, sepse mund të njohë pikat e dobëta të çdo banori e t’i përdorë ato, ndërsa Erjoni thekson se atij i duhet dhënë një mundësi për ta njohur e pranuar. Bisedat mbeten përgjysmë, pasi me ta bashkohet edhe Renatoja.
Seldi pranon se pëlqen Domenikën
Gjatë darkës, në tavolinë hapet biseda për “lidhjen” e Pamelës me Seldin. Jetmiri dhe Erjoni ishin të vetmit që nuk e kishin marrë vesh ende se e gjitha ishte një lojë. Miri habitet dhe pyet Seldin si për t’u siguruar, ndërkohë që ky i fundit krenohet se ka bërë një lojë të shkëlqyer. Të gjithë banorët e tjerë thonë se e kishin kuptuar që më parë ose e kishin marrë konfirmimin prej “çiftit”. Më pas, Seldi u thotë banorëve se Domenika është vajza që ai pëlqen vërtet në shtëpi dhe ajo i ka rënë në sy që mbrëmjen e parë që u njohën. Të gjithë ngrenë një dolli për Seldin dhe Domenikën.
Domenika e shqetësuar
Domenika duket e shqetësuar për dy arsye: së pari sepse ajo, Seldi dhe Pamela janë në nominim e së dyti, se si do diskutohet lidhja e saj me Seldin te të tjerët, sidomos pas faktit që ajo u bë publike pikërisht pas largimit të Valentinës, nënës së saj. Seldi përpiqet ta qetësojë për sa i përket shqetësimit të parë e i thotë se s’duhet ta vrasë mendjen për këtë gjë, ndërsa për shqetësimin e dytë ai e këshillon Domenikën që të ketë parasysh se ata nuk mund ta pranonin lidhjen hapur veç për respekt të Valentinës. Ai thotë se në prani të saj ata nuk mund të silleshin si çift i mirëfilltë, ndërsa tani po. Seldi i kërkon Domenikës që të mos e vrasë mendjen se çdo thonë të tjerët, sepse të rëndësishme janë ndjenjat që ata kanë për njëri-tjetrin, asgjë tjetër.
Loja e Pamelës, paragjykimet e Mirit
Jetmiri diskuton si me Seldin ashtu dhe me Pamelën për lojën e tyre si çift. Ai u tregon të tjerëve se disa ditë më parë kishte parë Seldin të puthej me Domenikën e që atë ditë nuk kishte kuptuar më asgjë për çiftin e parë. Seldi u thekson banorëve se çdo gjë e ka bërë se e ka ndier e nuk shfrytëzon askënd për lojë, ndaj i dhanë fund edhe lojës me Pamelën kur filloi të kuptojë ndjenjat për Domenikën. Ai tregon se gjithashtu mes tij dhe Pamelës nuk ka ndodhur asgjë. Jetmiri vazhdon të diskutojë me Pamelën për këtë lojë. Ai i thotë asaj se ka krijuar të tjera përshtypje për të, por që qenkan të gabuara. Miri justifikohet se kjo ka ndodhur si rezultat i ndryshimit të pozicionimeve, si dhe të kushteve dhe shton se e ka paragjykuar kot atë. Pamela sqaron se e gjitha nisi si lojë e ndërkohë kishin dyshime nëse të tjerët do ta kuptonin, por fakti që banorët e besuan çoi që kjo lojë të zgjaste ca.
Prova dhe zarfi i kuq
Banorët mblidhen në dhomën e ndenjjes e fillojnë të diskutojnë për provën e javës e për lojën e zhvilluar me Eduardin. Ata thonë se duhet të tregoheshin më seriozë në lidhje me provën e të përkushtoheshin më shumë. “Të paktën u fitua loja”, shprehet Renato si për t’u dhënë kurajë të tjerëve. Ata diskutojnë edhe për zarfin e kuq i cili ndodhej në studio e sipas fjalëve të Arbanës, ai do t’u ndryshojë jetën. Banorët hamendësojnë se çfarë mund të përmbajë ai, por gjithçka mbetet për t’u zbuluar javën e ardhshme.
Pamela, e pasigurt për lojën
Pamela diskuton me Seldin për faktin se ata janë në nominim dhe se me ta është edhe Jetmiri. Ajo tregon përshtypjet që ka krijuar për të dhe shprehet se atij i duket vetja si fitimtar e ndoshta loja mund të jetë vërtet në anën e tij. Seldi e qetëson se është publiku që bën selektimin, pasi ka parë çdo veprim të tyre. Ai thotë se nuk e nominoi Mirin, sepse dëshiron që ai ta provojë ndjenjën e të qenurit përballë të gjithëve, mënjanimit dhe uljes. Seldi thotë se kjo ishte arsyeja që ndryshoi mendim e nuk e nominoi Mirin e këtë gjë u kërkoi dhe vajzave, por Pamela thotë se me të nuk ka biseduar e nuk e dinte për ndryshimin e planit. Seldi justifikohet se nuk mund të diskutojnë më të tre bashkë se bien në sy te të tjerët. Pamela shprehet se ndihet e shqetësuar dhe e zhgënjyer që Seldi nuk ka vepruar ashtu siç ishte plani dhe nuk ka nominuar Jetmirin, por ai i thotë se secili duhet të luajë lojën e vet dhe e siguron atë se gjithmonë do të jetë pro saj. Seldi e siguron Pamelën se nuk po luan kundër saj dhe e këshillon që ajo të mos veçohet vetëm se i ka ngelur qejfi me të, por gjithnjë t’i diskutojnë problemet mes tyre. Të njëjtën bisedë për Jetmirin, Seldi e zhvillon edhe me Domenikën. Ata thonë gjithashtu se i kanë nominuar personat, sepse nuk kanë shumë lidhje me ta e në këtë mënyrë do të veprojnë edhe në vazhdim.
Nominim i papritur
Hakiu dhe Eduardi bisedojnë për nominimet. Ata shprehin habinë se në nominim këtë herë janë pesë veta. Ata mendojnë se mund të kenë marrë nga dy ose tri vota secili e prandaj dolën kaq shumë banorë në nominim. Më pas ata diskutojnë për Seldin dhe Domenikën e shprehen se nuk e mendonin se ata mund të nominoheshin kaq herët. Me ta bashkohet edhe Domenika, e cila nënkupton se atë mund ta kenë nominuar për shkak të Valentinës, por Hakiu e hedh poshtë këtë mendim, sepse i duket pa bazë. Ata diskutojnë edhe për ditëlindjen e Pamelës e cila po afron. Ata ndihen konfuzë se çfarë mund të bëjnë për këtë rast, pasi edhe buxheti është reduktuar mjaftueshëm pas humbjes së provës.
Buxheti i javës
Pasi përfundojnë me rregullimin, ata mblidhen në dhomën e ndenjjes për t’u marrë me buxhetin e javës. Jetmiri u lexon banorëve letrën shoqëruese së bashku me listën për ushqimet dhe u kujton banorëve se buxheti i kësaj jave përgjysmohet dhe ndaj duhet të blejnë produktet më të nevojshme. Kështu ata shohin fillimisht se çfarë u ka mbetur nga java e kaluar dhe diskutojnë se çfarë duhet të marrin për këtë javë. Kur banorët diskutojnë për frutat, tonet rriten. Graciela kërkon që të merren fruta e buxheti për to të mos sakrifikohet për cigaret që pinë pjesa tjetër. Ajo thotë se frutat kanë qenë shumë të pakta çdo javë e thuajse nuk kanë ngrënë fare. Jetmiri replikon me të. Në diskutim ndërhyjnë edhe banorët e tjerë. Domenika kërkon që të gjithë ata që pinë cigare të reduktojnë sasinë dhe premton se nuk do të hajë asnjë fryt që të mos hyjë në pjesë të atyre që i kërkuan ato. Më pas banorët përllogarisin shpenzimet për produktet e përzgjedhura.
Biseda njohjeje
Renato dhe Hakiu diskutojnë gjatë me njëri-tjetrin. Ata pyesin e përgjigjen për jetën personale, familjen, punën e çdo gjë që ka lidhje me njohjen e dy banorëve. Ata diskutojnë edhe për tema të ndryshme si për shembull për konceptin e jetës, filozofinë, komunikimin, shkollën dhe studimet që kanë zhvilluar etj. Me ta bashkohet edhe Jetmiri e biseda ndryshon tërësisht temë. Ata fillojnë të flasin për provën e javës. Ndërkohë dëgjohet alarmi i cili lajmëron banorët e tjerë se duhet të zgjohen. Jetmiri ia shpjegon këtë gjë Renatos dhe i thotë se ka raste që banorët nuk ndiejnë as alarmin dhe realisht banorët e tjerë janë ende në gjumë. është Domenika ajo që shkon t’i zgjojë të gjithë dhe u thotë se kanë një detyrë për të kryer: të rregullojnë e palosin kostumet popullore, sepse duhet t’i dorëzojnë. Në oborr me djemtë bashkohet edhe Seldi e fillojnë të flasin për këngën dhe komercializmin. Kryesisht bisedat e zhvilluara kanë të bëjnë me njohjen e banorit të ri me banorët e vjetër.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›