Banorët e tragjedisë së Gjirokastrës, prej 5 muajsh në banesa me qira
Banorët e pallatit të rrëzuar në 9 nëntor të vitit të kaluar, ende nuk janë akomoduar në apartamentet e premtuara. Pothuajse të 14 familjet që u gjendën në qiell të hapur fill pas tragjedisë, e cila shkaktoi tre viktima dhe gjashtë të plagosur, sot e kësaj dite sërish jetojnë në ambiente me qira apo dhe tek familjarët e tyre, por askush nuk ka blerë apartament.
Ndonëse fondet nga ana e qeverisë janë dhënë për çdo metër katror të përllogaritur, askush prej tyre nuk i ka shpenzuar ato për të blerë apartamente. Shumat e dhëna qëndrojnë larg realitetit të çmimeve për metër katror në Gjirokastër ku minimalisht një banesë 1 plus1 kushton deri në 25 mijë euro dhe kjo në zona periferike. Në fund të vitit të kaluar Prefektura dhe Bashkia e Gjirokastrës patën premtuar se drejtuesit e firmave ndërtuese që operojnë në qytet, do të plotësonin atë vakum të hollash që kërkohej për blerjen e një banesë normale në kushtet dhe konditat e mëparshme para rrëzimit të pallatit. Deri më sot kjo nuk ka ndodhur por ka edhe nga ata banorë që janë të kënaqur me të hollat e dhëna dhe e kanë mendjen të largohen nga Gjirokastra duke blerë shtëpi në kryeqytet. Deri më tani iniciativa konkrete për ndërtimin e apartamenteve nga ana e ndërtuesve gjirokastritë me çmime të përballueshme nuk janë parë, ndërsa premtohet për të ardhshmen. Të 14 familjet e ngelura pa apartament si pasojë e fatkeqësisë së 9 nëntorit të vitit të kaluar, i janë shtuar armatës së të pastrehëve që ka sot në qytetin e Gjirokastrës. Sipas statistikave të dala nga Bashkia e Gjirokastrës, numri i familjeve të pastreha është mbi 700, ndërkohë që në këtë kategori hyjnë edhe ato familje që banojnë në shtëpitë e ish- pronarëve. Të parët që do të përfitojnë nga ndërtimi i apartamenteve sociale është kjo kategori dhe më pas sipas radhës. Por gjithçka ngelet në kuadrin e planeve sepse deri më tani qeveria shqiptare nuk e ka parë Gjirokastrën si zonë për ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët megjithëse numri i tyre nga viti në vit shumohet. Vetëm 40 familje janë strehuar në dy pallate të ndërtuara për familjet e pastreha dhe kjo gjatë gjashtë viteve të fundit.
Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:44
Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:44