Berat, luhatja e tensionit djeg orenditë e fshatit, banorët presin dëmshpërblim
Katër ditë më parë, linja e tensionit të lartë 6000 volt që kalon në fshatin Drobonik dhe që furnizon antenën e telefonisë celulare Vodafon, është shkëputur dhe ka rënë mbi linjën e tensionit të ulët që furnizon lagjen e qendrës të fshatit Drobonik. Për pasojë ka djegur një magazinë si dhe orenditë shtëpiake të vëna në linjën e elektrikut të 33 familjeve.
Sipas banorëve, ngjarja ka ndodhur rreth orës orës 03:00 pas mesnatës së të premtes, kur banorët e zonës kanë qenë në gjumë, ndërsa janë zgjuar nga tmerri i flakëve që shpërndaheshin dhe shpërthenin nga çelësat e dhomave dhe orendive të vëna në prizë si dhe shpërthimet nëpër boksat e aparaturat matëse të energjisë elektrike. Selman Delibashi, një nga banorët që ka pësuar më shumë dëme materiale, pasi i është djegur magazina që sipas ekspertëve llogarit rreth 17 milionë lekë dëme, tregon se kanë qenë thirrjet e banorëve që e kanë zgjuar nga gjumi dhe se sapo ka parë flakët në magazinë ka shkuar drejt saj për ta fikur. Mora çelësin për t'u futur në magazinë, por sa vajta tek dera për fat të mirë, dora më preku në fillim në një llamarinë dhe tensioni i lartë më hodhi dy metra larg magazinës. Nuk më ngeli gjë tjetër veçse të lajmëroja elektricistin e fshatit, i cili mori në telefon KESH- in dhe ndërpreu energjinë elektrike. Më pas njoftuam dhe zjarrfikësit, të cilët erdhën në kohë por ngaqë magazina ishte e mbushur me materiale që shtonin mundësinë e përhapjes së flakëve, nuk mundën të shpëtonin asgjë. Gjatë asaj dite, dhjetëra banorë kanë përpiluar një listë, të cilëve iu janë djegur materialet elektroshtëpiake si televizor lavatriçe, frigorifer si dhe bokset e aparaturave të matjes së tensionit, instalimet, listë të cilën e kanë paraqitur në drejtorinë e KESH- it si dhe në drejtorinë e telefonisë celulare Vodafon. Në fshatin Drobonik, pas ngjarjes kanë shkuar ekspertët e zjarrfikëses, të cilët kanë përpiluar dosjen hetimore duke nxjerrë në të njëjtën kohë dhe shkakun që solli djegien e këtyre materialeve. Sipas ekspertëve, shkaku kryesor i rënies së zjarrit dhe djegies së materialeve në fjalë është këputja e linjës së lartë të tensionit në lagjen Xherimeja, e cila ka rënë në tensionin e ulët dhe për pasojë ka sjellë dëme të konsiderueshme materiale. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhe ekspertët e antikrimit ekonomik, të cilët kanë parë në detaj dhe kanë përpiluar dosjen e dëmeve të shkaktuara ndërsa kanë marrë dhe një denoncim nga banorët e dëmtuar të këtij fshati. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhe një grup ekspertësh të telefonisë celulare Vodafon, të cilët kanë parë nga afër të gjitha dëmet në të gjitha familjet, kryesisht më gjatë kanë qëndruar në familjen e Selman Delibashit, i cili ka pësuar dëme më të mëdha nga zjarri i rënë. Bazuar në ekspertizat përkatëse, dëmet në magazinën e tij kanë qenë sharrë planimetrie prodhimi dyersh, materiale ndërtimi lënde e parë, dërrasë, prodhime bujqësore si grurë, tërshërë, raki si dhe materiale si goma makinash, frezë, saldatriçe etj. Ndërsa në familjet e tjera janë djegur instalimet elektrike, aparatet matëse, frigoriferë, lavatriçe, televizor etj.
Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:45
Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 09:45