Banorët i kërkojnë bashkisë kanalizime dhe gjelbërim
Ankesat më të shumta për mungesën e ndriçimit në rrugë
Denoncime nga qytetarët edhe për ndërtimet pa leje
Rehabilitimi i rrjetit të kanalizimeve, shtimi i hapësirave të gjelbra edhe këtë vit kanë qenë kryefjala e kërkesave të banorëve të Tiranës, drejtuar kryebashkiakut Edi Rama. Përmes numrit të gjelbër 0800 0 888, 5.700 kryeqytetas kanë telefonuar duke iu ankuar bashkisë për mungesat e mëdha në infrastrukturë, në projekte afatgjata, si dhe çështje jetësore, siç është gjelbërimi.
Kërkesat
Lista e kërkesave ndaj bashkisë fillon me rikonstruksionin e rrugëve dytësore. Pas shtrimeve të asfalteve në rrugët kryesore, periferia dhe rrugët dytësore vazhdojnë të mbesin të paasfaltuara. Banorët vazhdojnë të kërkojnë me insistim shtimin e hapësirave të gjelbra dhe për rehabilitim e rrjetit të kanalizimeve. Nga ana tjetër, problematikë mbetet mosfunksionimi i rrjetit të ndriçimit. Specialistët pranë Qendrës Operatore në Bashkinë e Tiranës deklarojnë se shumë telefonata kanë ardhur nga qytetarë që kanë denoncuar ndërtimet pa leje, ndërhyrjet e kundërligjshme në rrjetin infrastrukturor rrugor, elektrik dhe ujësjellës-kanalizime, bllokimi i pusetave të ujërave të zeza. Nga ana tjetër, qytetarët i janë ankuar Bashkisë së Tiranës për mungesën e një projekti për eliminimin e qenve të rrugës.
Zgjidhja
Burimet pranë bashkisë sqarojnë se Qendra Operatore, si një mekanizëm i rëndësishëm i kësaj strukture, ka funksionuar rregullisht, duke pritur rreth 5.700 telefonata, të trajtuara me korrektësi sipas të gjitha procedurave dhe standardeve dhe me vëmendjen e duhur që kërkon një proces i tillë. Specialistët e kësaj qendre kanë dëgjuar drejtpërdrejt zërin e qytetarëve, të cilët kanë adresuar kërkesat, problemet e shqetësimet e tyre.
Dhe se zyra e Informimit Qytetar gjatë këtyre viteve ka informuar qytetarët mbi punën dhe funksionimin e drejtorive dhe sektorëve të bashkisë, i ka asistuar ata në të gjitha shërbimet që drejtoritë dhe strukturat e bashkisë u ofrojnë qytetarëve, procedurat që duhen ndjekur për marrjen e këtyre shërbimeve dhe kushtet që ata duhet të plotësojnë për shërbimet që ofrohen, pra çdo gjë për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe për t’u gjendur në çdo kohë pranë komunitetit, nevojave e shqetësimeve që ata kanë.
Të gjitha këto e bëjnë Sektorin e Informimit Qytetar në Bashkinë e Tiranës, strukturën model në shërbim të qytetarëve, zyrën ku çdokush do të gjejë mbështetjen dhe ndihmën e duhur dhe një derë të hapur për të trokitur.
Kërkesat
-Kërkesa për rikonstruksion të rrugëve dytësore, shtim të hapësirave të gjelbra;
-Kërkesa për rehabilitim të rrjetit të kanalizimeve, mosfunksionim të rrjetit të ndriçimit;
-Denoncime për ndërtime pa leje;
-Ndërhyrjet e kundërligjshme në rrjetin infrastrukturor rrugor, elektrik dhe ujësjellës-kanalizime, bllokimi i pusetave të ujërave të zeza;
-Ankesa për mungesën e projekteve për eliminimin e qenve të rrugës;
-Informacione mbi kthim përgjigjeje nga ana e drejtorive të bashkisë;
-Informacion mbi mënyrën e zhbllokimit të mjeteve të bllokuara nga ana e Policisë Bashkiake.