“Tajvani”, PD-ja i rikthehet me fakte të reja
Bumçi: Rama e shiti truallin më lirë se në 1996-ën
“Në 2001, trualli i “Tajvanit” u shit me 331 dollarë/m2”
Mbledhja e fakteve të reja detyroi dje PD-në, që t’i rikthehet edhe një herë çështjes së shitjes së truallit të kompleksit “Tajvan” në qendër të Tiranës. PD-ja akuzon kryebashkiakun Edi Rama për shitblerje qesharake të këtij trualli, duke favorizuar klientelizmin e tij. Demokratët, nëpërmjet deputetit Aldo Bumçi, publikuan dje dokumente të tjera, që vërtetojnë shitjen e këtij trualli më lirë sesa vlera e shitjes në vitin 2001, apo edhe në vitin 1996. Sipas z. Bumçi, në 2001 trualli i “Tajvanit” u shit me 331 dollarë/m2. "Kanë dalë fakte të reja të shit-blerjes së ish-lulishtes “Rinia”, apo “Tajvanit” siç njihet, se shitja e truallit në vitin 2005 është më i lirë sesa ai në vitin 2001. Në vitin 2001, trualli i “Tajvanit” është shitur me 331 dollarë/m2. Në vitin 1996, trualli i “Tajvanit” është shitur me 16 mijë lekë të reja/m2, kundrejt 12 mijë lekë të rejave që është shitur në vitin 2005 nga Edi Rama”, - deklaroi z. Bumçi. Deputeti demokrat i Qarkut të Tiranës akuzoi më tej: “Fakti që për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, çmimi i truallit në zemër të qytetit zhvlerësohet dhe është shitur më lirë sesa në vitin 1996, është tregues i arrogancës me të cilën ai qeveris Tiranën dhe abuzon me pushtetin”.
Ligji për tokën, PD: Përfitojnë 10 mijë familje fermere
Partia Demokratike i quajti dje të pabaza kundërshtitë e opozitës lidhur me ligjin e propozuar nga qeveria për ish-fermat shtetërore në jug. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, informoi se nga ky ligj përfitojnë mbi 10.000 familje të ish-fermave shtetërore nga veriu deri në jug të Shqipërisë. Kurse, - evidentoi ajo, - opozita dënoi dhënien falas të tokës këtyre fermerëve në masën 300 deri në 700 metër katrorë. “Njeriu që do të shkonte të protestonte në Orikum pse nuk u jepej toka fermerëve, tani denoncon vetëm për qëllime politike ligjin, i cili realizon një premtim elektoral të mazhorancës”, - kujtoi Mëhilli. Në këtë pikë ajo shtroi pyetje për z. Rama: “Çfarë dallimi kanë këto 10.000 familje fermerësh shqiptarë nga 460.000 familje të tjera të cilat morën falas tokën në përputhje me ligjin 7501”. Reagimi i PD-së erdhi pas akuzave të deputetit të PS-së, Fatmir Toçi dhe thirrjes së tij për Presidentin Topi, për të mos dekretuar ndryshimet në ligjin e pronave. Në emër të PS-së, Toçi deklaroi: “I kërkojmë Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj që u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi që ka penguar dhe bllokuar zhvillimet normale të vendit, në mënyrë të veçantë në fushën e turizmit dhe bujqësisë”.