E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët në protestë, bllokojnë urën e Orikumit

Vazhdojnë problematikat në qytezën e Orikumit. Dje, që në orët e para të mëngjesit, rreth 100 banorë të Orikumit kanë protestuar. Objektivi i protestës nuk ka qenë i panjohur në zonë, pasi edhe pak ditë më parë, banorët kanë protestuar për shkeljen që po i bëhet Ligjit 7501. Në vijim të kësaj proteste, dje ata kanë bllokuar urën, e cila lidh Vlorën me Orikumin. Banorët thanë se ata janë të vendosur në kërkesën e tyre, duke e parë këtë kërkesë thjesht ligjore. Dikur ata kanë qenë punonjës të ndërmarrjes bujqësore "Rinia", Orikum, dhe si të tillë, janë përfitues nga Ligji 7501 për rreth 450 hektarë sipërfaqe. Por dhënia e këtyre tokave pronarëve të tjerë ka ngjallur reagimin e banorëve. Disa ditë më parë, ata nuk lejuan për rreth dy orë bashkiakët të hynin në ambientet e bashkisë, por dje, kanë bllokuar rrugën. Sipas tyre, nuk është vetëm ky abuzim i bërë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por tokat që dikur kanë qenë ujë dhe shkurre, sot janë të regjistruara në kategorinë e arave. Banorët thanë se do të vijojnë protestat edhe në ditë të tjera, me metoda demokratike, por duke mos lejuar askënd t‘u shkelë të drejtat e tyre. Protestues të tjerë thanë se kreu i Bashkisë së Orikumit duhet të ishte përkrah tyre, pasi ata e kanë votuar dhe duhet të ishte aty, si përfaqësuesi i zgjedhur prej tyre.

Sipas protestuesve, 460 persona, punonjës të ish-ndërmarrjes NB Orikum kanë përfituar tokë në përdorim, sipas Ligjit 7501, pas prishjes së saj. Por, edhe pse është kërkuar shumë herë që kjo tokë t‘u jepet në pronësi, ashtu si dhe zonës së Radhimës, Dukatit dhe Tragjasit, banorët shprehen se kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhër, si nga ana e bashkisë ashtu edhe nga qeveria. Ka qenë ora 07:30 deri në 08:30, kur rruga që lidh zonën e Jugut u bllokua. Për një orë, të gjithë autobusët dhe mjetet që çonin nxënësit në shkollë janë ndaluar të kalojnë. Për pasojë, orët e para të mësimit nuk janë zhvilluar nga bllokimi i kësaj ure dhe po ashtu, punonjësit e tjerë të Pashalimanit kanë shkuar me një orë vonesë në punë. Banorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë dhe në ditët në vijim, duke bllokuar dhe rrugën nacionale Orikum-Vlorë, si dhe Orikum-Himarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›