E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrethet, maturantë më të mirë se Tirana

Nuk janë të pakta rastet kur maturantët e Tiranës ankohen se janë më të mirë se sa ata të rretheve dhe janë këta të fundit që u prishin punë, duke u zënë degët më të kërkuara. Në fakt, të dhënat statistikore të analizuara nga APRIAL, flasin ndryshe.

Analiza

"Matura 2008, pranimet në institucionet e arsimit të lartë", është botimi më i fundit i APRIAL, që dje ka mbledhur së bashku në një seminar të gjithë drejtuesit e drejtorive arsimore rajonale në vend. Në këtë libër përmblidhen disa studime të kryera nga specialistët e arsimit, mbi të dhënat e Maturës 2008. Ky botim, sipas drejtorit të APRIAL-it, Frederik Shalësi, ka për qëllim që t‘i orientojë të rinjtë të bëjnë zgjedhje të mençura në procesin e Maturës Shtetërore 2009. Përpara se të plotësojnë Formularin A2 me 10 preferenca, të rinjtë të dinë se ku mund të shpallen fitues, duke pasur parasysh nivelin e dijeve dhe aftësive të tyre. Pra, të mos pretendojnë më kot degët shumë të kërkuara, në rastet kur kanë mesatare dhe rezultate të ulëta në katër provimet e maturës, duke i humbur kështu shansin vetes.

Konkluzionet

Krahasimi i cilësisë së studentëve fitues mes maturantëve të Tiranës (ku përfshihen edhe ata të fshatrave) dhe atyre të rretheve të tjera, ka qenë një ndër drejtimet ku është përqendruar studimi mbi maturën 2008.

"Jo pak herë është vënë re që ndër kandidatët e përzgjedhur si nxënësit më të mirë për Maturën Shtetërore vazhdojnë të evidentohen si të tillë nxënës nga gjimnaze me emër në rrethe të tjera të Shqipërisë", thuhet në këtë studim. Sipas specialistëve të APRIAL-it, e njëjta gjë mund të vihet re edhe për shpërndarjen e tyre në programet e studimit. "Meqë tregues i cilësisë është marrë nota mesatare e katër dhe pesë elementeve të maturës, edhe në krahasimet e bëra këto janë marrë për bazë", sqarohet më tej në këtë botim.

Kështu, në 10 degët më të kërkuara të Universitetit të Tiranës, që fillojnë me Drejtësinë, vazhdojnë me Shkencat Politike, Psikologjinë, Punët Sociale, Mjekësinë, Farmacinë, Stomatologjinë Informatikën, Ekonomikun, Financat, për të përfunduar me Administrim-Biznesin, rezulton se përqindja më e madhe e fituesve është nga rrethet. Vitin e kaluar në degën e Drejtësisë janë shpallur 137 fitues nga Tirana dhe 263 nga rrethet. Në Mjekësi, fitues nga Tirana ishin 70, ndërsa nga rrethet 230. Po kështu edhe për degët e tjera shumë të preferuara dhe që kërkojnë nxënës tejet cilësorë, pasi konkurrenca është shumë e lartë me rezultatet e arritura.

"Përfundimet që dalin nga të dhënat e krahasuara tregojnë për një shpërndarje uniforme, ose për një barazi të pranueshme, duke rrëzuar një pretendim që dëgjohet ndonjëherë nga maturantë të pakënaqur se kandidatët e ardhur nga rrethet, për arsye jo objektive kanë më shumë shanse se maturantët që përfundojnë studimet në Tiranë për të fituar një program studimi në Universitetin e Tiranës, apo në Universitetin Politeknik", thuhet më tej në këtë studim.

Gjithashtu, duke iu referuar edhe të dhënave të regjistruara për fituesit në UBT, numri i tyre arrin në 43% për kandidatët që kanë përfunduar maturën në Tiranë. Kjo, në një kohë kur maturantët kryeqytetas kanë qenë gati një e katërta e gjithë maturantëve të republikës. A.Rr.

Rezultatet

Mjekësia thith nxënësit më cilësorë

Një ndër treguesit e procesit të pranimeve të studentëve mbi bazën e sistemit meritë-preferencë është studimi jo vetëm i faktit se si funksionon raporti kuotë/kërkesë, por edhe "listimi" i fakulteteve apo programeve, sipas cilësisë që ata thithin. Ky ka qenë një ndër parametrat e vlerësuar në botimin e fundit të APRIAL mbi maturën 2008. Nga analizat e kryera prej tyre arrihet në përfundimin: "Për vitin 2008 vëmë re se Fakulteti i Mjekësisë, pothuajse në programet bazë, tashmë të konsoliduara të tij, ka thithur nxënës që mund të quhen ekselentë, sepse mesatarja e katër elementeve të Maturës Shtetërore, si dhe mesatarja e tyre vjetore, që krijon mesataren e pesë treguesve, është tepër e lartë". Po kështu edhe në 2007-ën, tri vendet e para në programet e studimit i zënë përkatësisht Stomatologjia, Farmacia dhe Mjekësia. Në stomatologji, vjet mesatarja e të 5 elementeve të maturës arriti në 9.1, ndërsa në Farmaci në 9.08. Mjekësia e përgjithshme regjistroi një mesatare të pesë elementeve në nivelin e 8.95. Nga të dhënat rezulton se maturanti i fundit, ose ai i 300-i në listë, në degën e mjekësisë për 2008-ën, kishte notën mesatare të pesë elementeve plot 8.51. Pra, të dhëna të tilla mendohet se do të orientojnë drejt të rinjtë që të provojnë aftësitë aty ku kanë talent dhe njohuri të vlerësuara edhe me rezultate.

Frekuentimi

Maturantët kryeqytetas, shumë pak fitues në rrethe. Përzgjedhin programet e studimit në Tiranë

Universitetet jugore nuk

preferohen nga të rinjtë e Veriut

"Përveç Universitetit të Durrësit, në të cilin rreth 16% e fituesve janë maturantë nga veriu, universitetet e tjera të qyteteve të jugut janë shumë pak, ose aspak të preferuara nga këta të rinj". Është ky një tjetër konkluzion që vjen pas përpunimit të të dhënave të Maturës 2008 prej specialistëve të arsimit. Pasi ngritën pyetjen se sa janë të prirur maturantët e qyteteve të veriut për të studiuar në universitetet e qyteteve të jugut dhe anasjelltas, përgjigjja ka qenë e qartë pas referimit dhe krahasimit të shifrave. Në botim thuhet se "nga të gjitha përgjigjet që u dhanë, evident është fakti që universitetet që ndodhen në Tiranë janë më të preferuarit dhe më të kërkuarit jo vetëm nga maturantët që jetojnë në kryeqytet, por edhe nga ata të rretheve". Sipas tyre, edhe pas studimit dhe analizave të bëra duket qartë që universitetet e rretheve janë të prirur të tërheqin rreth vetes kryesisht maturantë të vetë rrethit, ose të rretheve që ndodhen afër me këto institucione të arsimit të lartë. "Kurse fenomeni i kalimit të maturantëve të zonave veriore për të studiuar në universitetet e qyteteve të jugut dhe anasjelltas është pak ose fare i padukshëm dhe besojmë se faktori kryesor që ndikon këtu është ai i largësisë, faktori ekonomik apo në disa raste edhe për shkak të mentaliteteve të ndryshme", saktësohet në këtë studim. Por aty evidentohet fakti se edhe maturantët kryeqytetas nuk i preferojnë universitetet e rretheve, qofshin këto edhe afër Tiranës. Vetëm 2% të rinj nga Tirana rezultojnë se janë shpallur fitues vjet në Universitetin e Elbasanit, po kaq në atë të Shkodrës dhe Korçës. Ndërsa, vetëm 1% kanë fituar në Universitetin e Vlorës dhe po kaq edhe në atë të Gjirokastrës. Edhe këtu bën pak përjashtim Universiteti i Durrësit, ku një vit më parë u shpallën fitues 13% e maturantëve kryeqytetas.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›