E Shtunë, 31 Tetor 2026

Digjen dy hektarë me pyje dushku

Ende pa ardhur stina e verës, në Bulqizë ka nisur "stina e zjarreve". Në orët e pasdites së të enjtes, në malin e Temlës, në Komunën e Zerqanit, rreth 10 kilometra larg qytetit të Bulqizës, janë vërejtur dhjetëra vatra zjarresh. Zjarret kanë vazhduar gjatë gjithë natës, deri në të gdhirë të ditës së djeshme, kur fikja e tyre është bërë në rrugë natyrale pa asnjë lloj ndërhyrjeje njerëzore. Nga rënia e këtyre zjarreve janë përshkuar nga flakët të paktën dy hektarë me pyje dushku. Edhe pse këto zjarre nuk kanë shkaktuar dëme të ndjeshme, pasi nuk janë favorizuar nga mbizotërimi i temperaturave të larta dhe nata e lagësht me vesë, gjithsesi kanë shkaktuar frikë te komuniteti, pasi janë një sinjal se vera e këtij viti do të jetë "e pasur" për sa i takon zjarrvënies në pyje, duke na kujtuar verën e vitit 2007, kur u dogjën mijëra hektarë pyje dushku, ahu dhe pishe zjarrvënës. Mënyra e shfaqjes së njëkohshme të dhjetëra vatrave të zjarreve, në formën e një vije që shkonte në rreth 2 kilometra distancë, duke rrethuar një zonë të mirë pyjore të malit të Temlës, 1400 metra i lartë, të krijon bindjen për një zjarrvënie të qëllimtë. Kjo pranohet edhe nga banorët e komunitetit në afërsi të këtij mali, sipas të cilëve, zjarret janë të qëllimshme dhe në më të shumtën e rasteve vihen nga barinjtë e zonës për të shtuar sipërfaqet e kullotave për bagëtitë që mbarështojnë. Ndërkohë një mundësi tjetër e zjarrvënies në pyje, po sipas banorëve, mbetet edhe ajo e caktimit të vëzhguesve të zjarreve në pyje gjatë muajve të verës, që shihet si mundësi e mirë punësimi për persona të papunë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›