E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllok industrial mbi arsenikun e groposur

Zona ku është groposur arseniku po studiohet nga Bashkia e Fierit për të krijuar një bllok të ri industrial. Është kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj, ai që ka deklaruar një fakt të tillë e që ka ftuar të gjithë investitorët për të ngritur aktivitetet e tyre mbi sipërfaqen ku është groposur arseniku.

Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, në një konferencë për shtyp ka dhënë siguri se zona ku tashmë janë të varrosura mbetjet e arsenikut, do të kthehet në një bllok tërësisht industrial. Deklarata e Zeqajt mbështetet te studimi që është duke u përgatitur për këtë rast.

"Bashkia, me sistemimin më së miri të arsenikut, përforcoi mendimin dhe vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Fierit dhe Shqipërisë që sipërfaqja në fjalë të jetë një zonë industriale, por me një profil tjetër. Nuk do të ketë më prodhim ureje apo kimikatesh të ndryshme, por në këtë zonë do të zhvillohet industri më e pastër. Përveç zonës ku ndodhet TEC-i, e gjithë sipërfaqja tjetër do të kalojë në varësi të bashkisë. Qeveria shumë shpejt këtë zonë industriale të saj do ta njohë në kapitalet e bashkisë. Është një projekt-ide që e ndan qytetin e Fierit nga kjo zonë me një brez të madh të pyllëzuar, ndërsa pjesa tjetër domosdoshmërish kërkon një studim të posaçëm", ka deklaruar kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj.

Ai vlerëson se ish-ndërmarrja e azotikut dhe zona rreth saj ka sipërfaqe të madhe dhe të mjaftueshme për t‘u përdorur nga biznesi. "Unë mendoj se përfaqësuesit e biznesit fierak dhe më gjerë duhet të shprehin interesin e tyre për ta shfrytëzuar këtë sipërfaqe sa më shpejt", u shpreh kryebashkiaku Zeqaj.

Të mërkurën ka qenë ambasadori i Komisionit Evropian, Lohan, ai që inspektoi zonën e landfield-it, ku është groposur një sasi prej 1200 tonë arsenik. Lohan ka shprehur sigurinë se zona në fjalë nuk paraqet rrezik ndotjeje dhe është brenda të gjitha standardeve evropiane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›