E Shtunë, 31 Tetor 2026

POLITIKA, MISION APO BIZNES?

Kush e ka lexuar librin e Obamës: "Guximi për të shpresuar" dhe ka ndjekur me vëmendje fushatën elektorale, që solli kurorëzimin e tij në krye të shtetit më të fuqishëm të botës, ndonëse vinte nga shtresa më e pashpresë e kësaj bote, nuk mund të mos vërë re thelbin e frymës së tij, frymë që realizoi mbështetjen plebishitare, jo vetëm në Amerikë. Ai shtroi para vetes dhe mbarë opinionit pyetjen: "Politika, mision apo biznes?". Dhe triumfi i tij nuk është gjë tjetër, veçse promovimi i politikës "si mision". Kjo do të mbetet sfida më e madhe morale e politikës së shekullit tonë të ri, modeli i politikës së re.

Në vendet e Lindjes, si dhe në Shqipërinë puniste, ku politika vihej në plan të parë, dhe ideali i partisë mori përmasa gati hyjnore, dukej sikur politika ishte "një mision", ndërsa biznesi qe një herezi, dhe prona private anatemohej kudo, si e keqja më e madhe e kësaj bote. Kësisoj, politika "si mision" mbetej pa alternativën e saj: "si biznes". Pra, politika, duke mos lejuar pasurimin e individit, duke eleminuar pronën private, ku dhe gjeli në gardhin e fshatarit merrej si provokim i barazisë, nuk e pengoi revanin e instalimit të kultit të njësh-it, pavarësisht se kudo flitej për pushtet të popullit. E thënë shkurt: as stimujt e shumtë moralë me dekorata e distiktivë gjithëfarësoj, as heqja e spaletave në ushtri, apo rrogat e ulta, nuk e motivuan politikën "si një mision". Kemi parë se si, duke abuzuar me idealet, realizoheshin qëllime cinike e mizore.

Qoftë abuzimi me moralin, siç ndodhi dje, qoftë abuzimi me pushtetin, siç ndodh përherë, apo abuzimi me paratë e taksapaguesve, siç po ndodh sot, nuk e promovojnë politikën si "një mision". Por, politika nëse duhet bërë e qytetarëve, ajo duhet të jetë misionare. Ndryshe, zgjedhjet e radhës sjellin të pasurit e radhës, që çirren nëpër tribuna për të mirën tonë, që përherë del keq.

Diku, në librin e Stefan Cvajg për mbretëreshën Maria Stjuart, kam hasur këtë formulim për politikën: "Kriteri i politikës nuk është ndershmëria, por suksesi". Kjo thënie besoj se u shkon për shtat politikanëve tanë pragmatistë e plot oreks. A nuk flitej në të shkuarën për suksese të planeve 5-vjeçarë? A nuk flitet sot për suksese të demokracisë? Por, çfarë përfituan shqiptarët prej tyre? Ǒpërfituan heronjtë e punës socialiste, apo ata që arrinin rezultate të lartë në rendimentet e bujqësisë apo blegtorisë? Ç`përfitojnë sot ata që brohorasin nëpër mitingje? Veçse shtetarë, që majmen duke derdhur lotë krokodili për të varfërit dhe të papunët. Në ditët e hyrjes së Shqipërisë në NATO politika kaloi në një gjendje euforie, pasi shanset historike dhe ëndrrën evropiane të mbarë shqiptarëve, po i manifestonte si meritë të sajën.

Ndryshe nga "politika si biznes", ajo për "mision" nuk të shpërblen me përfitime personale, përkundrazi misionarët i ndjellin vetes një fat të nëpërkëmbur. Por e habitshme është se misionarët përvetësohen gjer në atë farë feje prej demagogëve, apo patriotëve të stisur, sa vjen një ditë: ata, që të luftonin si heretik në të shkuarën, të shpallin si demode në të tashmen. Dhe me idetë e reja të misionarëve të nëpërkëmbur ngrenë gjithë sloganet e propagandës së tyre për pushtet. Ndërsa kolltukofagët flakërijnë nëpër tribuna, diku të harruar, shuhen misionarët e fjalëve të zjarrta.

Që në Shqipëri politika është kthyer në një biznes, si një mjet apo mundësi pasurimi, kjo nuk ka nevojë të shpjegohet. Ndaj sa herë plas një skandal aferash në radhët e biznesit, menjëherë shfaqen emra politikanësh të implikuar me ta. Kësisoj kundërshtarët politikë të përbetuar, sapo ofrohet posti, apo një përfitim ekonomik, një aferë, i lënë hanxharët dhe hidhen në krahët e njëri-tjetrit, si të ishin miq të vjetër. Bile, me një mallëngjim të tillë, sa kur mendon keq për ta, ndodh të ndjehesh fajtor, intolerant. Sepse politika na qenka pragmatizëm pa pengesa morale. Gjithkush u tall me Xhuvelin, kur u përfshi në qeveri me Berishën, por, në vend që të mbetej si rast i izoluar, u kthye në mani, në sjellje politike edhe të esnafëve të meritokracisë. Madje, në krah të Berishës në pushtet janë bërë të zellshëm dhe prej atyre, që gjer dje i zhdëpi në dru apo i burgosi. Dhe e gjitha kjo sepse politika është bërë biznes, sepse po të bëhesh pjesë e pushtetetit, sofrën e gjen plot. Por, sa më shumë që të grabitet shteti, aq më shumë varfërohen shtetasit e tij. Ja pse nëpër inaugurime shikon shtetarë të ngazëllyer, të bymuer prej mirëqënies, dhe një popull dyshues, që kalon anash, duke përfolur korrupsionin e patriotëve hazërxhevap.

Që politika është tashmë një biznes e dëshmojnë edhe shumë raste të blerjeve të kandidaturave, apo fushatat e shtrenjta për t‘u bërë deputet, kryetarë bashkie e komune. Që politika është bërë një biznes e dëshmojnë abuzimet me tenderët apo shitjet e vendeve të punës. Kësisoj, në politikë s‘ka rëndësi se kush je, por sa i zoti tregohesh të arrish qëllimin pragmatist të kurorëzimit me një karrige a kolltuk. Në politikë nuk hyhet për të kontribuar, por për t‘u bërë pjesë e një klani, ku të nesërmen e fitores dorovitesh me poste e ofiqe. Ja pse në politikë ka shpurë për t‘u turrur dhe jo stafe, që ngrenë politika zhvillimi. Ja pse preferohet ai që të mban anën, kundrejt atij që të thotë të vërtetën, e ja pse në politikë ka eleminim dhe jo bashkëjetesë; ka depersonalizim të kundërshtarit dhe jo respektim të tij. Ka e çfarë nuk ka...

Me të drejtë, Mit‘at Frashëri thoshte: "Në vend që shqiptari të merret me begatinë e vendit ku jeton, ta zëmë, aty pranë ka një lagunë, ku mund të merret me kultivimin e peshkut, apo të zhvillojë vreshtarinë duke prodhuar verën e rakinë për tregun, ai ka dëshirë të vishet qehaja. E kërkon pushtetin, që t‘i imponohet dhe kapërdiset fqinjit, apo bashkëatdhetarëve të tij. Dhe ky farë pushteti për të gjunjëzuar tjetrin, nuk paska të ndalur".

Dikur, një misionar me emrin Fan Noli thoshte: "Mbreti ynë nuk mund të kuptojë se si mund të luftohet për ide". Dhe nëse ishte një kohë që u luftua vërtet për ide, kjo ishte Rilindja jonë kombëtare. E vetmja që nuk është cenuar asnjëherë dhe prej askujt. E vetmja epokë që u mburrën të gjitha regjimet: monarkia, socializmi dhe demokracia. Por edhe lufta për ide solli mënxyrat e veta. Siç ndodhi me ideologjinë komuniste. Por, të luftosh për ide, në një kohë kur paraja mbetet qëllimi i vetëm i politikës së ditës, kur shumica e popullit robtohet për sigurimin e saj, të duket si një dava e kotë. Të duket sikur shpresa është e asfiksuar. Mjetet e moralshme të duken si relike për një rapsod i sapozbritur nga malet.

Megjithatë, dëgjojmë përditë një lider me emrin Edi Rama, që flet për një politikë të re: përtej së majtës dhe së djathtës, larg përbaltjes, duke vënë në qendër të saj interesat e qytetarit. Mesa shihet ai ka zgjedhur për model: "politikën si mision", pasi gjithë shqiptarët prej vitesh të tëra kanë faturat e një politike, që ka abuzuar me ndjenjën e lirisë e të demokracisë duke i çuar njerëzit drejt së keqes së tyre duke brohoritur. A thua se po konturohet një ndërgjegjie e re politike, e shfaqur në kohë, që, duke mos përfituar nga të metat e kohës apo të vetë kombit, të marrë përsipër misionin e shumëpritur të "politikës si mision"? Apo vjen diçka për mirë? Mos vallë përballja e saj me "politikën si biznes" mund jetë e parakohshme? Mos vallë dhe kjo lëvizje synon pushtetin duke abuzuar me fjalët e mëdha?

Eshtë e vërtetë që Shqipëria ka ndryshuar dhe po ndryshon, por ajo që ka mbetur pothuajse e njëjtë është politika, "politika si biznes", tahmaja e pushtetarëve për të abuzuar me pushtetin, krekosja e tyre përballë një populli me halle. Më gjeni, në gjithë historinë e pluralizmit, për të gjitha qeveritë, një shkresë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku të mos jenë denoncuar abuzimet marramendëse me arkën e shtetit? A s‘është kjo një tjetër dëshmi e qartë e përdorimit të "politikës si biznes", qoftë nga të majtët apo të djathtët? Është më mirë t‘i lësh njerëzit ta kalojnë dimrin me një xhaketë, se sa t‘u premtosh pallton e madhe dhe, e nesërmja t‘i gjejë vetëm me këmishë. Jemi në prag të një përgjegjësie historike apo drejt një zhgënjimi të radhës?

Barak Obama, në librin e tij "Guximi për të shpresuar" (faqe 130-131) në emër të politikës ‘si mision‘, shprehet: "Njerëzit...kanë frikë se Uashingtoni do të më ndryshojë, e unë do të përfundojë si të gjithë ata që janë në pushtet. Ju lutem, mos ndryshoni, më thonë. Ju lutem, mos na zhgënjeni!... Të gjitha përmblidhen në përfundimin se, po të duam të ndryshojmë ndonjë gjë në Uashington, duhet t‘i flakim jashtë maskarenjtë. Megjithatë, vit pas viti, ne i mbajmë maskarenjtë aty ku janë...".

Siç shihet, "politika si mision" është sfidë kundër maskarenjve në pushtet. Ata janë të mëdhenjë e të vegjël, ujqër e çakej. Ujqërit lart e çakejtë poshtë. Kur maskarenjtë e politikës janë problem dhe për vendin më me demokraci të botës, po tek ne ku demokracia është ende e brishtë?

Atëherë, unë po guxoj e po shpresoj në "politikën si mision". Por tek kush? Tek gjithë kjo aradhë e re shqiptarësh, pa komplekse të së shkuarës, e guximshme dhe me shije, që ka arritur të sjellë e të mbrojë në vendin e vet, të gjitha vlerat që të jep një popull energjik, pasionant, kurajoz e aventurier, që priret drejt së resë, edhe pse shpesh me fodullizëm. Na duhet një vend i begatë, ku ndjehen të gjithë mirë në ekonominë e lirë të tregut, dhe jo një rezervat ku harlisen të pasurit e të pushtetshmit. Po guxoj të shpresoj tek "politika si mision", pasi "politika si biznes" po na bën përherë e më shumë të huaj në këtë vend. Se ç‘emër do të ketë nesër kjo politikë në Shqipëri, do ta tregojë koha. Në Amerikë ajo njihet më emrin e Obamës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›