Banorët e Fanit bllokojnë autostradën, 2 javë pa energji
MIRDITË. Pas 2 javësh ndërprerje të energjisë elektrike, banorët e fshatrave të komunës së thellë malore të Fanit në Mirditë i janë drejtuar protestës 1 orëshe duke bllokuar autostradën Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Morinë, ku janë bllokuar qindra mjete që i drejtoheshin Kukësit apo Kosovës.
Zona e Fanit është në errësirë prej 14 ditësh kur për shkak të stuhisë dhe rrebeshit 18 shtylla të linjës përçuese të tensionit të mesëm 6 kilovolt në afërsi të Bargjanës u shkatërruan si dhe qindra metra tel i këputur në kompata të tëra është vjedhur.
Edhe pse banorët kërkuan nga CEZ (sektori i shëprndarjes) që të ndërhynte për të sjellë shtylla të reja dhe bazën tjetër materiale, kjo gjë nuk është mundësuar akoma, ndërkohë që ata thonë se jemi gati të afrojmë ndihmën tonë, dhe mjete për të hapur rrugën dhe forca pune nga vetë fshatrat.
Banorët thanë se kjo është protesta e parë por nëse nuk reagojnë drejtuesit e kompanisë, ne do ta ndërpresim qarkullimin në austotardë për disa orë në ditë dhe deri në bllokimin e saj të plotë, pasi nuk mund të lihemi kështu në errësirë, kur ne paguajëm energjinë elektrike dhe gjithë detyrimet e tjera ndaj shtetit.
Bllokimi i bërë për rreth një orë solli dhe përplasje të disa banorëve me drejtuesit e automjeteve ndërkohë që nuk ka patur prezencë policore.