E Diel, 1 Nëntor 2026

Baraj: Berisha po gënjen për rritjen ekonomike

"Java që sapo kaloi tregoi se gjendja entuziaste e ekonomisë Shqiptare është një gënjeshtër, ajo ekziston vetëm në mendjen e Berishës dhe veglave të tij dhe përgjigjen ja dhanë e do të vazhdojnë t'ja japin mijëra qytetarë në protestat e shumta që kanë mbuluar tërë Shqipërinë". Kështu është shprehur deputeti i PS-së Besnik Baraj në një konferencë për shtyp në elinë rozë. Sipas tij kryeministri i vendit, pasi i vodhi votat sikurse veproi edhe në 1996 përsëri po fut duart në xhepat e të gjithë shqiptarëve duke shtuar se dalja e njerëzve në rrugë lidhet me gjendjen e rëndë e të padurueshme ekonomike.
"Qytetarët pa dallim sot blejnë me të njëjtën vlerë shumë më pak ushqime se një vit më parë. Pensionistët janë shumë më keq se 5 vjet më parë, pasi me rrogat e tyre nuk arrijnë të mbyllin as 15 ditë të muajit, e jo më të blejnë ilaçet e të paguajnë faturat e larta të energjisë elektrike, të rinjve u është mbyllur e ardhmja në këtë vend dhe vazhdojnë ta shohin veten jashtë Shqipërisë si në 1992, pasi diplomat e tyre nuk u sigurojnë dot punë, ushtarakët nuk arrijnë të marrin atë që gjykatat e këtij vendi ja kanë dhënë, pasi Sali Berisha pengon realizimin e këtij vendimi, policët e nxjerrë në lirim kanë 1 vit që s'marrin rrogat e tyre. Me qindra janë mësuesit e flakur nga puna për shkak të mëkatit se ishin komisionerë të PS. Shqiptarët dalin e do të vazhdojnë të dalin në sheshe se jemi vendi i fundit në Ballkan për liberalizimin e vizave" theksoi Baraj.
Ai shtoi gjithashtu se shqiptarët kërkojnë transparencë se ku shkojnë paratë e tyre e jo gënjeshtra. "Mungesa e transparencës dhe deformimit të realitetit nuk janë vetëm në kutitë e votimit, por në tërë veprimtarinë e kryeministrit Berisha, ndaj dhe shqiptarët sot dhe në të ardhmen do mbushin sheshet, pasi kërkojnë të njëjtat standarde si dhe vendet e BE në rolin e qeverisë për zhvillimin e vendit.
Mungesa e transparencës lidhet me pasurimin abuziv të familjes në pushtet në kurriz të të gjithë shqiptarëve. Janë të gjitha këto arsye që në 30 Prill Shqiptarët nga mbarë vendi do të mbushin si asnjëherë tjetër bulevardin Dëshmorët e Kombit" përfundoi Baraj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›