E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baraj: Shkarkimi i Ramës, PD s‘ka bazë ligjore

"Nuk ka asnjë bazë ligjore, por edhe nëse do të kishte, kjo është qesharake". Kështu e vlerëson deputeti socialist, Besnik Baraj, deklaratën e Partisë Demokratike për të shkarkuar kryebashkiakun Edi Rama për çështjen e mbeturinave. Në cilësinë e ish-kryetarit të grupit të këshilltarëve socialistë në bashkinë e kryeqytetit, Baraj dha vlerësimin e tij për "Shqip". Sakaq, kryetari i grupit të PD-së në Këshillin Bashkiak, Ferdinand Pone, replikoi sërish dje, duke u shprehur se Bashkia e Tiranës është kapur nga mafia me kollare. Baraj mohon kategorikisht se kërkesa e selisë blu ka një bazë ligjore, por, sipas tij, nisma të tilla s‘janë gjë tjetër veç vulgarizma, të cilat marrin edhe trajtën e komikes, pasi kërkesa të tilla janë shfaqur edhe më parë. "Nuk ka një bazë ligjore, por edhe nëse do të kishte, kjo është qesharake. Protesta të kësaj natyre ndodhin në të gjithë botën për ta bërë më aktual problemin. Kemi raste si bujqit apo fermerët, të cilët në shenjë proteste lënë para qeverisë prodhimet e tyre. Ndaj do ta konsideroja një nismë komike, në vazhdën e nismave të tjera të kësaj natyre", tha Baraj. Sipas tij, qëllimi i gjithë këtij sulmi mbetet suksesi i Bashkisë së Tiranës, të cilën nuk e duron as z. Pone dhe shumë si puna e tij, por edhe vetë Sali Berisha. "Ndaj gjenden mekanizma nga më të ndryshmet për të zbehur punën dhe ambicien e kryebashkiakut Rama për t‘u shërbyer qytetarëve", tha Baraj. Nisur nga kjo, ai i kërkoi qeverisë e Kryeministrit të japin shpjegime përse po e pengon bashkinë për të përmbushur shërbimet që duhet t‘u bëjë qytetarëve. "Cila është arsyeja përse po pengohet bashkia për shërbimet ndaj qytetarëve, por duket se suksesi i Bashkisë së Tiranës është një halë në sy për Ponen me kompani, por edhe për Berishën. Por vota, marrja e mandatit të tretë nga e Ramës është përgjigjja më e mirë ndaj sjelljes dhe qëndrimeve të qeverisë. Do ta konsideroja një mënyrë vulgare reagimi këtë të mazhorancës që tregon qartë se qëllimi i saj nuk është shërbimi ndaj qytetarëve", tha Bare. Nga ana e tij, Pone u shpreh për angazhimin e qeverisë në përmbushjen e detyrimeve karshi qytetarëve. "Ne jemi për një qeverisje vendore që u shërben qytetarëve se sa t‘u zhduken të ardhurat e tyre në grupime militantësh dhe falangat e tyre të karavidheve dhe plehrave politike", theksoi Pone.

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›