E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama-Meta, në një avion drejt Çekisë

Kongresi i Partisë Socialiste Europiane në Pragë bashkon në të njëjtin udhëtim me avion dy ish-aleatët e dikurshëm, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Burimet nga dy partitë konfirmojnë se si Rama dhe Meta janë nisur nga Aeroporti i Rinasit ditën e djeshme me avionin e orës 14.20, Tiranë-Vjenë. Pasi ndaluan në Vjenë për transit, ata janë nisur sërish drejt Pragës, ku edhe mbahet Kongresi i PSE-së. Nuk dihet nëse Rama dhe Meta kanë komunikuar së bashku, por duket se nuk e kanë shmangur udhëtimin së bashku në të njëjtin avion. Kongresi i socialistëve europianë do të mbajë punimet në datat 7-8 dhjetor. Aty mësohet se të dy personalitetet do të diskutojnë me homologët europianë në lidhje me çështjet më të rëndësishme. Sakaq, mbetet ende në pikëpyetje pjesëmarrja e Metës në festimet e demokratëve dhe qeverisë në datën 8 dhjetor. Nëse Meta ka vendosur të marrë pjesë, do t‘i duhet të mbërrijë nga Praga në Vjenë ditën e martë, para orës 10.50 minuta, kohë kur është e përcaktuar nisja e avionit për në Tiranë. Por, nëse ai ka vendosur të shmangë festimet dhe të ndjekë deri në fund punimet e kongresit, mund të vijë për në Tiranë me një avion të orëve të darkës, duke u nisur nga Vjena në orën 22.15. Veç të tjerave, këto dy mundësi kthimi mund të shfrytëzohen nga Rama për të shmangur udhëtimin sërish me Metën në të njëjtin avion, gjithmonë nëse ai zgjedh të kthehet paraditen e së martës. Por, meqë punimet e kongresit zgjasin gjatë gjithë ditës, duket se edhe udhëtimi në kthim në të njëjtin avion mes dy ish-aleatëve bëhet sërish i pashmangshëm.

Rama është nisur drejt Pragës duke marrë një dosje me vete, ku do të denoncojë dhe shpjegojë të gjitha shqetësimet e opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit, duke përfshirë këtu edhe akuzat e Berishës. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, i pyetur dje për këtë çështje, tha se "prania jonë në aktivitetet dhe konferencat e Partive Socialiste Europiane është një mundësi shumë e mirë për t‘u takuar me drejtues të rëndësishëm të së majtës europiane dhe për të ndarë me ta vullnetin dhe dëshirën e përbashkët, që Shqipëria sa më shpejt të fitojë liberalizimin e vizave, që Shqipëria sa më shpejt të jetë një vend anëtar i BE-së".

A.Thomollari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›