"U larguam nga fusha me autobusin e Gramozit, që tifozët të mos e kuptonin"
Nëse episodet e dhunshme në fushat inferiore nuk përbëjnë më asnjë lajm sensacional, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për skuadrat elitare. Aty, futbolli duhet të jetë një garë e fortë sportive, por mbi të gjitha një spektakël që shet imazhin e futbollit shqiptar nëpër botë. Megjithatë, Erseka ka menduar të rikthejë edhe mes më të mirëve mentalitetin e periudhës kur në aktivitetin më të rëndësishëm në vend, fitonte gjithmonë skuadra që kishte tifozerinë më të "fortë" në tribuna. Papajtueshmëria me humbjen e Gramozit përballë Laçit ka shkaktuar kaos gjatë pasdites së të shtunës. Mbështetësit e skuadrës kolonjare kanë shkatërruar stadiumin, sulmuar me gurë autobusin e miqve, madje i kishin bërë edhe pritë skuadrës laçiane dhe treshes së gjyqtarëve, të kryesuar nga Kridens Meta, në mënyrë që ata mos të largoheshin nga Erseka pa një "dru të mirë". Mesfushori kavajas, Elvis Kaja, ka rrëfyer episodet e shëmtuara që ndodhën të shtunën, pas fitores 2-1 të Laçit. "Pasi mbaroi ndeshja, tifozët e Gramozit na sulmuan shumë rëndë. Mbrojtësi Nino u godit pas kokës në tunelin që të dërgon në dhomat e zhveshjes dhe kaloi në gjendje të rëndë. Ndihma e shpejtë në Ersekë linte për të dëshiruar, ata neglizhuan shumë dhe u desh vetëm ndërhyrja e presidentit të skuadrës, që shoku ynë i dëmtuar të transportohej në spital dhe të trajtohej", deklaroi Kaja. "Tifozët ishin shumë të irrituar pas fitores tonë. U detyruam që të largoheshim nga stadiumi me autobusin e Gramozit, në mënyrë që tifozët vendas të mos e merrnin vesh se cila skuadër ndodhej aty. Ata kishin sulmuar autobusin tonë, duke thyer xhamat dhe duke e dëmtuar dhe më pas, me gurë në dorë, vazhdonin të prisnin daljen tonë nga stadiumi. U deshën tri eskorta policie që skuadra e Laçit të largohej pa probleme nga Erseka".
Për ngjarjet e ndodhura, fusha e Gramozit pritet të dënohet me një deri në gjashtë ndeshje pezullim, ndërsa sipas asaj që parashikon rregullorja, në rast të përsëritur skuadra rrezikon edhe përjashtimin nga aktiviteti. Dënime shembullore do të ketë edhe për lojtarët kolonjarë, që me grushtet dhe shkelmat e tyre i rrezikuan seriozisht jetën futbollistit Jetmir Nino.
e. k.
Për ngjarjet e ndodhura, fusha e Gramozit pritet të dënohet me një deri në gjashtë ndeshje pezullim, ndërsa sipas asaj që parashikon rregullorja, në rast të përsëritur skuadra rrezikon edhe përjashtimin nga aktiviteti. Dënime shembullore do të ketë edhe për lojtarët kolonjarë, që me grushtet dhe shkelmat e tyre i rrezikuan seriozisht jetën futbollistit Jetmir Nino.
e. k.