Barazimi me Norvegjinë, De Biazi: Meritonim fitoren, djemtë të lodhur
Pas barazimit me Norvegjinë mbrëmjen e djeshme në stadiumin Qemal Stafa trajneri i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Xhani De Biazi ka deklaruar se Shqipëria e meritonte të fitonte.Por sipas tij lojtarët janë lodhur për shkak të sezonit të gjatë në fund të takimit.
Unë ndjej shumë keqardhje, pasi kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj një kundërshtari cilësor. Kemi dalë para porte në të paktën 5 raste. Në 45 minutat e para krijuam raste edhe para shënimit të golit, ndërsa te e dyta mund ta kishim mbyllur lehtësisht ndeshjen. Gjëja më e rëndësishme për mua është që skuadra përballoi kundërshtarin. Mendoj se në këtë ndeshje, problemi kryesor ishte se ata kanë avantazhin e kampionatit që është në mes, ndërsa lojtarët tanë ishin në fund të sezonit. Kjo është arsyeja pse në pjesën e dytë ne i dhamë atyre iniciativën,-tha De Biazi për mediat.
Ndër të tjeta tekniku italian ka thënë se Shqipëria është duke pësuar shumë pak gola se më parë.
Në tre ndeshje radhazi kemi pësuar vetëm një gol. Sinqerisht, do të pranoja kurdoherë që Shqipëria në tre ndeshje radhazi ndaj Sllovenisë e Norvegjisë të pësonte vetëm një gol. Shpërqendrimi në fund është pjesë e mentalitet, por edhe e gjendjes fizike. Besoj se fitorja do të ishte shumë më e bukur, por vendi i dytë është shumë i mirë për momentin. Sot(dje) humbëm dy pikë por më shumë se kaq nuk mund të kërkojmë,-tha ai.