E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia jep OK për ekstradimin e Arben Frrokut

arben frookuArben Frroku do të ekstradohet brenda disa ditësh nga Greqia. Ky është vendimi që ka marrë ditën e djeshme Gjykata e Lartë në Athinë, ndërsa vetë avokati grek i të dyshuarit të vetëm për ekzekutimin e kryekomisar Dritan Lamajt e ka pohuar këtë gjë për mediat. Drejtësia greke në këtë formë i ka thënë OK ekstradimit brenda 40 ditëve të ardhshme në Tiranë nga drejtësia helene. Ky është vendimi që ka marrë dje Gjykata e Lartë e Greqisë, e cila i hapi rrugë ekstradimit të Arben Frrokut në Shqipëri. I njëjti vendim është marrë edhe për nipin e biznesmenit, Jak Jaku, që do ekstradohet së bashku me të. Argumenti i dhënë nga gjykatësit ishte se, ekstradimi i Frrokut në vendin tonë do të ndihmojë në zbardhjen e vrasjes së komisar Dritan Lamaj. Biznesmeni dyshohet dhe akuzohet nga drejtësia shqiptare si autor i ngjarjes se 24 shkurtit 2013, ku humbi jetën drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, ish-shefi i Komisariatit nr. 6 në Kombinat.
Ekstradimi
Përballja me autoritet shqiptare e Frrokut është çështje ditësh, por detaje se kur ai do të mbërrijë në Tiranë nuk jepen. Kjo edhe për shkak të kushteve të sigurisë dhe sekretit profesional. Ekstradimi do të bëhet nga Interpol Tirana në bashkëpunim me kolegët e Athinës. Frroku është njëkohësisht edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit,së bashku me vëllanë e tij. Ndërsa edhe për nipin e Frrokut, Jak Jaku, Gjykata e Lartë e Greqisë vendosi pro ekstradimit të tij për llogari të autoriteteve shqiptare. Media helene raportonte dje se, vendimi u mor pas një maratone konsultimesh të gjyqtarëve dhe ekspertëve më të njohur të drejtësisë greke.
Pretendimet e Frrokut
Megjithë pretendimet e biznesmenit dhe avokatit të tij se nuk kishte prova, gjykata greke arsyetoi se dërgimi i Frrokut në Shqipëri do i shërbejë hetimit të plotë të çështjes dhe pafajësinë e tij ai mund ta kërkojë edhe në Tiranë. Po ashtu, autoritetet greke thanë se nuk ka asnjë kërcënim për jetën e Arben Frrokut, nëse do të mbahet në burgjet shqiptare dhe se në Shqipëri mund të kryhet një gjykim i drejtë. Pas vendimit të marrë mesditën e djeshme, Gjykata e Lartë e Greqisë sqaroi gjithashtu se tashmë janë autoritetet policore të të dy vendeve që do caktojnë datën dhe kohën e ekstradimit, apo detajet e këtij operacioni. Pra duke nisur nga dita e djeshme, Interpol Tirana është e lirë të kryejë ekstradimin kur të dojë, deri në 40 ditët e ardhshme, në respektim të afateve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›