50 vjeçarja e ngujuar apel shtetit për ndihmë
Speciale Njerëz në Udhëkryq
Është rubrika më e re që do të vazhdojë në Tirana Observer, dhe që do iu shoqërojë çdo fundjavë. Histori dhe personazhe reale do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës sonë dramën e jetës së tyre. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që se njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë është thjesht një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptareNëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi.Sot ne do të publikojmë, dramën e një nëne dhimbja e së cilës i kalon caqet pasi përveçse ajo duhet të vuajë dëshpërimin e madh që ka në shpirt për një nga djemtë e saj që ja kanë vrarë, duhet të bëhet e fortë për të përballuar edhe burgosjen e bashkëshortit dhe të një prej djemve që ndodhen në një prej burgjeve shqiptare. D.L si nënë e ka vuajtur shumë faktin që familja e saj dhe një tjetër familje në fisin e bashkëshortit janë në gjak, por ja që duhet ti nënshtrohet fatit të keq, dhe rregullave të Kanunit që sipas 50 vjeçares nuk është veçse një mit që shton dhimbje dhe lot në familjet shqiptare. Kjo nënë e rrëfeu edhe pse me shumë vështirësi dhe dhimbje dramën e jetës së saj, dhe tashmë prej disa muajsh është zhvendosur në kryeqytet ku i është dashur të largohet me dëshpërim nga shtëpia e saj ku ajo ndërtoi një jetë e rriti fëmijët e saj. Apel i kësaj gruaje i shkon institucioneve zyrtare, Bashkisë së Tiranës, dhe shtetit shqiptar pasi ajo ushqehet vetëm me para borxh që i merr nga familjarët e saj. Kjo grua e prekur nga gjakmarrja kërkon ndihmë edhe pse duhet të fshihet ditë pas dite e frikësuar nga hakmarrja ajo shprehet se nëse nuk i ofrojnë ndihmë atëherë do kërkojë punë, për të mbijetuar edhe pse është e ngujuar.: Merrni guximin! Denonconi edhe ju në tiranaobserer@gmail. Ju mirëpresim
Intervista/ Plaga e gjakmarrjes, D.L rrëfen dramën e jetës së saj
50 vjeçarja e ngujuar apel shtetit për ndihmë
Nga Arta AGOLLI
Ajo është një nga ato gra trimëresha që rrallë herë mund ti takosh, e mund të të japin energji pozitive edhe pse në sy mund ti dallosh dhimbjen e madhe që i ka shkaktuar plaga e tmerrshme e gjakmarrjes. D.L ka luftuar për jetën duke u përballur me një kalvar shqetësimesh që sot duket se e kanë ngujuar larg shtëpisë së saj, në Dibër së bashku me vajzat e saj. Ajo me dhimbje të madhe është kthyer për tre vajzat e saj e vetmja shpresë, pasi bashkëshorti dhe njëri prej djemve gjendet në burg. 50 vjeçarja është e kushtëzuar teksa rrëfen dramën e jetës së saj, pasi i frikësohet faktit se ndoshta hakmarrja nga fisi me të cilin është në gjak do ti hapë sërish plagë. Sipas 50 vjeçares historia e gjakmarrjes ka nisur thjesht për një copë tokë, motiv që edhe pse duket sikur na rikthen në shekullin e kaluar kur njerëzit vriteshin për motive banale sërish me ngjarje të tilla aktuale mund të hasemi edhe sot në Shqipërinë e 2013-ës.
Historia e gjakmarrjes
Prej më shumë se 5 muajsh 50 vjeçarja është transferuar në kryeqytet nga fshati ku jetonte në Dibër për shkak të frikës se nga familja me të cilën është në gjak do ketë sërish hakmarrje, pasi prej më shumë se 12 vitesh familjet janë në konflikt të vazhdueshëm. Nga kjo histori e dhimbshme kanë vdekur dy persona, e për këtë fakt bashkëshorti dhe një prej djemve të 50 vjeçares si edhe dy burra të familjes tjetër me të cilën ata janë në gjak ndodhen duke vuajtur dënimin në një prej burgjeve shqiptare. Por edhe pse duhet të përballet me faktin që dy prej familjarëve të saj ndodhen në burg, 50 vjeçares i duhet të jetë e kujdesshme edhe për tre vajzat e saj, dy prej të cilave është detyruar ti fejojë për shkak se dëshpërimisht nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur 5 frymë në shtëpinë me qera në të cilën jeton diku në periferi të kryeqytetit. Edhe pse më dhemb në shpirt që nuk bëra më të mirën për vajzat e mia, pasi u detyrova ti fejoj e ti martoj në kushte jo të mira, për shkak të frikës së do mi vrisnin, sërish do mundohem deri në fund të jetës për ti mbrojtur rrëfen 50 vjeçarja ndërsa nga sytë i dalin lot.
D. L në gjakmarrje: Në emër të jetës e të dhimbjes kërkoj pajtimin
50 vjeçarja e cila ka disa vite që vuan plagën e gjakmarrjes rrëfen se në shtëpinë ku jetojnë me qera në periferi të kryeqytetit d prej vajzave dhe djali i saj i vogël nuk kanë edhe kushtet më minimale pasi, gjithçka që e kanë pasur në shtëpinë në Dibër e ka lënë atje për shkak se është zhvendosur me shpejtësi pa e menduar gjatë. Më qan shpirti kur mendoj që kam lënë gjithçka në shtëpinë në Dibër edhe shpirtin e kam lënë atje, madje atë ditë që kemi ardhur në Tiranë edhe tavolinën e kam lënë shtruar pasi nëse do të kisha qëndruar nuk e di nëse do të isha gjallë me vajzat e me djalin tim të vogël, na ka ruajtur zoti. Shprehet 50 vjeçarja e dëshpëruar dhe e pafuqishme për ti dhënë fund plagës që ajo mban në shpirt për gjakmarrje. Sipas saj familja me të cilën janë në gjak, për shkak se shteti dhe ligji ja dhanë me të drejte tokën, ishte e vendosur në hakmarrje dhe përpara disa vitesh, një prej djemve të familjes kundërshtare i ka ardhur me armë natën dhe i ka vrarë djalin e madh. Kam një plagë të madhe në zemër, që edhe Zoti nuk e di çfarë përmasash më ka marrë më është ndryshkur dhimbja, por jam e pafuqishme, jam e vetme për ti dhënë fund kësaj historie të mbushur me helm, vrasje e vrer nuk dua më të vishem në zi dhe këtë gjë uroj edhe për gruan e vajzat e familjes tjetër, ndaj edhe pse e di që sdo të më dëgjojnë bëj apel për zgjidhje. Apelon 50 vjeçarja. Ajo shprehet ndër të tjera me lot në sy se; Në këtë dhimbje të madhe jemi baraz. Të dyja familjet kemi humbur dikë të shtrenjtë, ndaj duhet ti japim fund, pasi kjo rrugë e shëmtuar nuk do të na çojë asgjëkund përveçse dhimbjes e lotëve. Një tjetër apel i 50 vjeçares ka të bëjë me ndihmën që ajo kërkon nga shteti dhe sidomos Bashkia e Tiranës për përfitimin e një asistence sociale me të cilën të mund të paguajë ushqimin për fëmijët e saj. Urojmë dhe shpresojmë që zëri i kësaj gruaje që padrejtësisht është përfshirë në gjakmarrje të dëgjohet diku. Gazeta Tirana Observer do ta ndjekë këtë rast deri në zgjidhjen përfundimtare të saj.