E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça e lumtur, Reali i pikëlluar

Janë dy situata të ndryshme në dy qytetet më të mëdha të Spanjës. Në njërën anë janë katalanasit që festojnë, në tjetrën madrilenët që pikëllohen për barazimin që mund t’u ketë kushtuar titullin kampion. Pep Guardiola ka folur me elozhe për lojtarët e tij pas fitores prej 3-0 në transfertën e Majorkas, që ia mundësoi Barçës t’i shkëputet edhe njëherë 7 pikë Real Madridit. “Ndeshja ndaj Majorkas u fitua falë Keitas. Ai është mesfushor i fortë dhe ne kemi nevojë për të. Unë jam i kënaqur me të. Do të kisha preferuar që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm, por këto gjëra ndodhin. Megjithatë, edhe kështu si jemi jemi mjaft të fuqishëm, apo jo?”, deklaroi Guardiola. Por nëse Guardiola bën pyetje retorike, në Madrid ende nuk e kanë kapërdirë barazimin kundër La Korunjës. Portieri i Real Madridit, Iker Kasijas, është shprehur tejet i zhgënjyer me barazimin ndaj Deportivos, pasi Los Blancos dominuan në tërësi takimin e zhvilluar në “Riazor”. “Është një hap prapa sepse dy javë më parë, ne kemi shfrytëzuar rastin për ta ngushtuar këtë distancë në tabelë. Tani tentuam që të vazhdojmë ndjekjen, krijuam raste, por topi nuk ka dashur të hyjë në portë. Ne nuk mund të shikojmë çfarë po bën Barcelona, por çfarë po bëjmë ne. Tani duhet të fitojmë çdo ndeshje tri pikë. Të gjithë në klub janë të pikëlluar, por shpresa ekziston që të bëjmë ndonjë rikthim të mundshëm në tabelë”, u shpreh Kasijas. Por drejtori madrilen, Horge Valdano, është shumë optimist. Ai ka refuzuar që të pranojë se Los Blancos kanë humbur gjasat për ta fituar titullin në La Liga, pas barazimit pa gola ndaj Deportivos, që e lë Realin shtatë pikë prapa Barcelonës kryesuese. “Ky barazim na lë edhe më shumë prapa kreut, por jemi në shkurt dhe ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi. Ne kemi goditur dy herë shtyllën, luajtëm shpejtë, por nuk kemi shënuar. Ne kemi pasur nevojë për fat. Do të luftojmë çdo ditë deri në fund, sepse stili ynë është i tillë dhe ne nuk do të dorëzohemi”, u shpreh Valdano.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›