Kol plagos me pushkë tifozin, rrezikon 5 vjet burg
Eshli Kol, mbrojtësi i Çelsit dhe kombëtares angleze të futbollit, ka plagosur me armë një tifoz në fushën stërvitore të klubit londinez. Të dielën e kaluar, Kol kishte marrë me vete në stërvitje edhe një pushkë, që është e vetmja që mund të mbahet pa licensë në Mbretërinë e Bashkuar. “News Of The World” raporton se mbrojtësi i majtë po bënte shaka me armë në dorë në dhomat e zhveshjes dhe pa dashje ka qëlluar mbi Tom Kouan, një student 21-vjeçar i shkencave sportive që po bën praktikën tek Çelsi. Kol nuk e dinte që arma ishte e mbushur dhe ndodhej vetëm pak metra larg të riut. Stafi mjekësor i Çelsi i erdhi menjëherë në ndihmë djaloshit të plagosur. Mësohet se Eshli Kol i ka kërkuar falje Tomit. Pavarësisht incidentit, Kol luajti të gjithë 90 minutat në fitoren 2-0 të Çelsit ndaj Kopenhagenit të martën, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kampioneve. Sidoqoftë Kol rrezikon 5 vjet burg për këtë pakujdesi, por policia do të vlerësojë më parë lajmin dhe më pas do të vendosë në çeljen e hetimeve.