Barça klubi më i pasur në botë
Barcelona nuk është vetëm skuadra më e fortë e botës, por edhe më e pasura. Viti financiar 2010 ka bërë që katalanasit të lënë pas Realin e Madridit duke qenë ata në krye të renditjes së klubeve me më shumë të ardhura. Shifra e tanishme është 473.4 milionë euro, pra shumë afër “tavanit” prej 500 milionë eurosh. Kjo shifër nuk është arritur kurrë nga ndonjë klub në histori, ndërsa vendimtare për të arritur deri këtu janë fitoret në Ligën e Kampionëve, por edhe kontrata me Fondacionin “Katar” (Qatar Foundation). Kjo kontratë parashikon të ardhura prej 225 milionë dollarësh në 5 vjet, pra 45 milionë dollarësh në sezon. Mbetet që Asambleja e Barcelonës ta ratifikojë këtë marrëveshje, e cila është kritikuar nga Johan Krujf, por që ka sjellë të ardhura të mëdha për “blaugranët”. Kampionët e Spanjës dhe të Europës humbën jo edhe aq shumë, 12.7 milionë dollarë sezonin e kaluar, ndërsa kanë një borxh prej 499 milionë dollarësh. Vështirësia financiare u duk në blerjet e Aleksis Sançezit dhe të Çesk Fabregasit (ndihmuar edhe nga vullneti dhe xhepat e lojtarit). “Kemi ndërtuar një program që të punojmë me mundësitë tona, po ulim borxhin, por situata mbetet delikate”, - tha Faus. Gjithsesi, Barça ka të ardhurat më të mëdha në botë dhe kjo nuk është diçka e paktë. Në fund të fundit, vetëm kështu dilet nga borxhet.