E Diel, 1 Nëntor 2026

Barça qartëson se cili është numri "1": Jo Ibra, por Mesi

Drejtuesit në Kamp Nou, pasi kanë realizuar një nga operacionet më të nxehta në merkaton e verës, duke bërë të tyrin sulmuesin suedez Ibraimoviç, nuk harrojnë se duhet ta mbajnë sa më të lumtur, "xhevahirin" e tyre, Lionelin e vogël. Dhe projekti që mendojnë është të rishikojnë kontratën e sulmuesit argjentinas. Mendohet se gjithçka mund të përfundojë pasi skuadra katalanase të rikthehet nga turneu i ndeshjeve përgatitore në Amerikë. E përditshmja sportive spanjolle "Sport" nënvizon se me këtë lëvizje të re, presidenti Laporta dhe ndihmësit e tij duan të qartësojnë se cili është numri 1 në skuadrën katalanase, pas spekulimeve që rrethojnë arritjen e Ibraimoviçit në Kamp Nou. Është e sigurt se gjiganti i futbollit spanjoll europian, skuadra katalanase nuk pranoi që t‘i garantojë sulmuesit suedez, të njëjtën pagë që ai merrte tek Interi dhe kjo ishte lëvizja e parë, që linte të kuptonte se Mesi mbetet futbollisti më i paguar në Kamp Nou. Tani mendohet që Barcelona të bëjë lëvizjen e dytë, të fokusohet dhe më shumë te Mesi, duke i ofruar atij një përmirësim i kushteve financiare në kontratë, edhe pse kjo skadon në vitin 2014. Burime shumë të afërta me klubin katalanas zbulojnë se negocimet kanë avancuar përpara, por gjithçka mund të zyrtarizohet kur Barcelona të kthehet nga turneu përgatitor në Amerikë. Mendohet që të ndryshojë klauzola nga 150 milionë euro në 250 milionë euro, në rast të një largimi të mundshëm të Mesit, përpara vitit 2014, pasi kjo shifër është fiksuar dhe në klauzolën e kontratës së Ibraimoviçit. Edhe pse nuk jepen shifra përmirësuese në pagën vjetore të Mesit, në përmirësimin e kontratës ekzistuese mendohet se ajo bën një "kërcim" përpara. Me këto lëvizje, drejtuesit në Kamp Nou duan që Mesi të vazhdojë të ndihet i lumtur te Barcelona dhe pse sulmuesi argjentinas është shprehur gjithnjë se "duhet t‘i përgjigjem gjithçkaje, që klubi katalanas ka bërë për mua". "Çmimi për futbollistin më të mirë të botës duhet të rishikohet për çdo vit, pohoi drejtori teknik Beguristan. Është një shifër shumë domethënëse, por mjaft e përligjur".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›