E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIA: Shumi, nën hetim për gomat

Ndjenjat në F.1 zgjasin pak. Pas fjalëve të ëmbla për Felipe Masën dhe ato të mirëseardhjes për Majkëll Shumaker, tashmë është koha për të bërë kontrollet.

Rregullat e hekurta

Në fakt FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilave) do të ekzaminojë detajet e testit të parë të bërë të premten me Ferrari nga gjermani, i cili ka kompletuar 67 xhiro në Muxhelo mbi një makinë F2007. Sikurse ka thënë një zëdhënës i agjencisë "Dpa", Federata është e interesuar për gomat e lëmuara të përdorura nga Majkëlli. Në fakt, rregullorja e ndalon zhvillimin e testeve gjatë sezonit në vazhdim me makinën dhe gomat që përdoren në kampionat.

Hetimi — Dje, pas ditës së punës në pistën italiane, Shumi ka deklaruar se kishte përdorur gomat "që montohen zakonisht në GP2". Gjatë kësaj kohe, ata u kanë dërguar një letër skuadrave të tjera, të cilave u kërkojnë të japin miratimin e tyre për një sesion special testues, gjatë të cilit Shumi do të mund të drejtojë makinën F60. Disa skuadra i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës, disa ende jo. Prandaj, për momentin hipoteza për t‘i dhënë Majkëllit mundësinë për të krijuar konfidencë me veturën e 2009 para garës së Europës në Valencia ka mbetur e ngrirë.

Është në formë

Megjithatë Shumi nuk ka humbur kohë, ka zbritur në pistë me një Ferrari dhe po përgatitet për rikthimin e madh më 23 gusht në Valencia. Në 67 xhiro, koha e tij më e mirë e ka ndalur kronometrin në 1‘23"736. Masa, me goma të tjera, më 26 korrikun e dy viteve më parë kishte regjistruar kohën 1‘20"194. "Është një ndjenjë e bukur të rikthehesh të garosh në F.1, edhe pse kjo ishte një makinë e 2007, me goma të lëmuara, që përdoren vetëm në GP2 dhe, sigurisht nuk mund t‘u referohesh këtyre xhirove. Pas disa xhirove fillova të garoja në kohë konstante dhe jam i lumtur për prezantimin e bërë. Tani të shikojmë se si do të reagojë trupi im dhe muskujt e mi në ditët e ardhshme", shton Shumi. Dje ai ka vizituar Masën në spitalin e Budapestit, ndërsa do t‘ju rikthehet testeve në fillimin e javës së ardhshme.

Rikthimi i mbretit

Rikthimi i mbretit Shumaker nuk bën të diskutojnë vetëm tifozët e Kavalinos, por edhe protagonistët e garave, vetë pilotët. Mark Veber është euforik dhe sipas tij Shumi mund të fitojë një garë. Më pak i shqetësuar duket Xheson Baton, i cili parashikon një klimë të ngrohtë për këtë rikthim të të madhit Shumaker. "Majkëll është një pilot klasi, thotë Veber, piloti i Red Bullit. Do të rikthehet dhe do të fitojë. Është i jashtëzakonshëm, ka një fuqi absolute. Nuk ka dyshim. Po përgatitet të përballojë sërish një sfidë të madhe". "Shumaker është 40 vjeç, por do të jetë sërish kompetitiv, shton Baton. Është në një pozicion të vështirë. Të gjithë thonë se ka shumë për të humbur: nëse fiton, nuk do të jetë një surprizë".

Xheson Baton

Rikthimi i mbretit Shumaker nuk bën të diskutojnë vetëm tifozët e Kavalinos, por edhe protagonistët e garave, vetë pilotët. Xheson Baton: "Shumaker është 40 vjeç, por do të jetë sërish kompetitiv. Është në një pozicion të vështirë. Të gjithë thonë se ka shumë për të humbur: nëse fiton, nuk do të jetë një surprizë. Kur zbriti në pistë, në test ishte i shpejtë, demonstroi kompetitivitet që në xhiron e parë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›