Mundi Realin, tani Juve beson te vetja
Çiro Ferrara është shumë i kënaqur: skuadra e tij ka mundur as më pak e as më shumë se "galacticos‘-at e Realit të Madridit. Galaktikët e vërtetë në fushën e Seviljas ishin bardhezinjtë. "Këto suksese ndihmojnë në rritjen e mentalitetit fitues", kishte thënë tekniku i Juves gjatë zhvillimit të "Peace Cup" (Kupa e Paqes). Kështu pasi ka mundur Sevijen dhe Seongnamin, ja ku vjen mrekullia kundër Realit të Madridit. "Jam i kënaqur për rezultatin dhe për paraqitjen. I kam parë të gjithë shumë të karikuar që nga stërvitja e mëngjesit dhe nuk mund t‘ju kërkoja më shumë djemve", është shprehur i kënaqur ai pas ndeshjes. I buzëqeshur dhe shumë i kënaqur është edhe goleadori Fabio Kanavaro, që shënoi kundër ish-shokëve të skuadrës; një kënaqësi e madhe pas fërshëllimave të disa tifozëve mosbesues. "Të shënosh të jep gjithnjë kënaqësi. Nuk festova vetëm për respekt të ish-shokëve të mi. Kjo ishte një ndeshje e fortë, e vështirë, si çdo ndeshje kur luan kundër Realit. Fusha nuk na ndihmoi, por ia dolëm të bëjmë një paraqitje të mirë dhe jemi të kënaqur që kemi arritur finalen, ka deklaruar në fund të ndeshjes. Juve tani është një skuadër më e mirë. Reali gjithmonë ka qenë kështu, edhe kur isha unë. Në ndeshje të vështira si kjo, u beson shpesh individualiteteve".