Padova ndërhyn për Edgar Canin, vështirësohet kalimi tek Empoli
Edgar Cani, shqiptar në pronësinë e Palermos, por që sezonin e kaluar ka luajtur tek Askoli në Serinë B, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer gjatë kësaj periudhe të fazës përgatitore te skuadra siciliane. Tiparet e tij prej një sulmuesi race, mënyra e lojës, por edhe golat e shënuar në takimet miqësore, e kanë vënë në qendër të shënjestrës së menaxherëve të njohur të klubeve nga Seria A dhe B. Për të po interesohen disa skuadra nga të kategoritë kryesore të futbollit italian. Pas konfirmimit se ai është në listën e lojtarëve që do të huazohen nga Palermo në këtë sezon, Cani duket se është shumë pranë kalimit tek Empoli. Por sipas "Gazzetta dello Sport", transferimi i tij te kjo skuadër nuk duket se do të jetë dhe aq i lehtë. Sulmuesi shqiptar ka hyrë në shënjestrën e Padovës që drejtohet nga Karlo Sabatini (vëllai i drejtorit sportiv të Palermos, Valterit), i cili nga vetë rrethanat duket më i favorizuar për ta marrë lojtarin në Serinë B.