E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça “thyen” Deportivon, i përgjigjet Realit

Vetëm dy orë ka zgjatur ëndrra e Realit të Madridit për ta parë veten dy pikë pas Barcelonës (këta të fundit kanë një ndeshje më tepër), pasi katalanasit nuk kanë gabuar, duke mposhtur 3-1 Deportivon në “Riazor”.

Dy gola të “Topit të Artë 2009”, Leonel Mesi (në minutën e 27-të dhe 80-të) dhe një gol i të përhershmit Zllatan Ibrahimoviç dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt e bënë të pavlefshëm golin e shënuar nga Adrian në minutën e 39-të, që barazoi përkohësisht shifrat.

Në këtë mënyrë, shkon përsëri në pesë pikë distanca midis katalanasve dhe “mbretërve” dhe beteja për titull në Primera Divizion vazhdon të mbetet e hapur. Barcelona ka treguar se rrallë mund të gabojë në kampionat dhe mbetet skuadra për t’u mundur.

Ndërkohë, në takimet e tjera të luajtura mbrëmë, Atletiko Madridi fitoi 2-0 në fushën e Kseresit, kurse Sevilja nuk mundi të shkojë më tepër se një barazim 1-1 në shtëpi përballë Valadolidit, duke rrezikuar edhe vendin e dytë, pasi Valencia ka vetëm një pikë më pak dhe sot do të luajë në transfertë përballë Atletik Bilbaos.

Deportivo la Korunja 1 – 3 Barcelona, (Adrian 39’ / Mesi 27’, 80’, Ibrahimoviç 88’)

Deportivo la Korunja (4-2-3-1): Aranzubia; Pablo, Colotto, Lopo, Filipe; Tomas (Bodipo 82’), Sergio; Adrian (Juca 62’), Rodriguez, Guardado (Alvarez 86’); Mista. Trajner: Lotina

Barcelona (4-3-3): Valdes; Alvesh, Pike, Pujol, Abidal; Ksavi, Buske, Iniesta (Keita 88’); Mesi, Ibrahimoviç, Henri (Pedro 69’). Trajner: Guardiola

Gjyqtar: Borbalan

Kartonë të verdhë: Mista, Alvesh, Abidal
   
 

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›