Barcelona, fushatë kundër duhanit

Disa nga yjet e mëdha të futbollit si Andres Iniesta, Xavi e Carles Puyol i kanë ftuar mbështetësit anembanë Evropës t’i thonë ‘Jo’ pirjes së duhanit dhe kanë garantuar se do ta ofrojnë një guidë dhe mbështetje për fansat që duan ta lënë cigaren.
Kampanja e klubit katalunas, e quajtur ‘Ndalo duhanin me Barçën’, mund të gjendet online në kompjuter dhe në telefon mobil (programi ka emrin FCB iCoach), ku jep këshilla, informata për ndalimin e përdorimit të duhanit dhe motivime nga lojtarët e Barcelonës bashkë me influencën e figurave tjera në klub si trajneri Tito Vilanova dhe presidenti Sandro Rosell.
Kjo kampanjë arrin afro një vit pasi klubi Blaugrana vendosi ta ndalonte pirjen e duhanit në stadiumin Camp Nou.
Kampanja është lëshuar të shtunën dhe ka për qëllim t’i ndihmojë tifozët e Barcelonës, por edhe të tjerë në mbarë botën.
Me 140 milionë përdorues të duhanit në Evropë, Komisioni Evropian është i bindur se reputacioni i katalunasve si njëri prej klubeve më të mëdhenj në botë, do të ndikojë te shumë persona që ta ‘shqelmojnë’ duhanin.