E Diel, 1 Nëntor 2026

Barcelona, mbështetje për projektet në Tiranë

Bashkia e Barcelonës do të ofrojë mbështetjen e saj për planifkimin urban, projektet për mjedisin dhe hapësirat publike në Tiranë. Ndihma është premtuar gjatë takimit që kryebashkiku Edi Rama ka pasur me kryetarin e Bashkisë së Barcelonës, z. Jordi Hereu.

Hereu është shprehur i gatshëm për bashkëpunim dhe ka deklaruar se Rama së bashku me ekipin e tij do të formëzojnë të ardhmen e Shqipërisë.

Rama ka vlerësuar pritjen dhe respektin për Bashkinë e Tiranës, e cila ka një emër që mjafton për të hapur dyert, dhe një emër që ndihmon për të nxitur bashkëpunimin me qytete të mëdha, ndër të cilët është dhe Barcelona.

“Ne gjetëm, një mirëkuptim të jashtëzakonshëm për kërkesat tona, për një ndihmë konkrete në mënyrë të veçantë në jetësimin e Planit të Ri Rregullues, që javët në vijim do të jetë gati dhe do të marrë dhe vulën e publikut kryeqytetas, për t'u kthyer në instrumentin e një zhvillimi të mëtejshëm të kryeqytetit, edhe me ndihmën e urbanistëve të jashtëzakonshëm dhe me famë europiane dhe botërore të Barcelonës"- tha Rama.

Hereu, e ka cilësuar nder dhe kënaqësi takimin me Ramën, një Kryebashkiak i madh që qeveris qytetin e Tiranës që nga viti 2000 dhe që po i jep hov një procesi shumë të rëndësishëm për rinovimin dhe përmirësimin e kryeqytetit, i cili ka përjetuar në 16-17 vitet e fundit ndryshime të mëdha. “Për mua është një kënaqësi dhe nder të pres një përsonalitet të rëndësishëm si Z.Edi Rama, i cili bashkë me ekipin e tij, është një ndër ekipet më të rinj që do të formëzojnë të ardhmen e Shqipërisë”- tha Hereu.

Ndarja e përvojës dhe eksperiencave mes qyteteve, sipas tij, mund të garantojë përmirësim në fushën e planifikimit urban, në fushën e përmirësimit të hapësirave publike, në fushën e rritjes ekonomike.

Përsa i përket aspekteve kulturore dhe sociale, Tirana dhe Barcelona mund dhe duhet të bashkëpunojnë, pasi janë qytete nga dy vende të cilat i bashkon Mesdheu. “Në këtë kontekst, jam i sigurt se Barcelona dhe Tirana mund të bashkëpunojnë, dhe mendoj se kjo do të jetë në përfitim të të dy vendeve, të të dy qyteteve. Tirana është një qytet me karakteristika të veçanta dhe mendoj se kemi lidhje historike shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha kemi një të ardhme që do ta zhvillojmë sëbashku"- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›