E Diel, 1 Nëntor 2026

Ti rezistosh pushtetit, pa qenë disident

Shkrimtari Ismail Kadare flet për letërsinë dhe disidencën

“Kur kërkohet të përkufizohet shpirti i një populli, vendi i parë ku duhet kërkuar është letërsia. Shpirtërorja i bashkohet në mënyrë tepër natyrale letërsisë. Të shkruash është gjithashtu një thirrje e brendshme, një akt misterioz besimi. Shkrimtarët e mëdhenj janë të ndërgjegjshëm për këtë mister të mrekullueshëm”. Kështu shprehet shkrimtari Ismail Kadare në një intervistë dhënë për gazetën italiane “Avvenire”. Kadare flet për lidhjen e letërsisë me shpirtëroren, temë e cila do të jetë në qendër të një debati 5-ditor në Torino, ku marrin pjesë filozofë, shkrimtarë e klerikë nga e gjithë bota. Ai flet për Danten, Solzhenicinin, por edhe për disidencën, për konceptin e tij mbi të dhe sa e pranishme ka qenë ajo në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës. “Disidenca është e nderuar, më së shumti nën hijen e regjimeve mizore si ato komuniste, apo fashiste. Por për mua, disidenca e vërtetë është një reagim publik e konkret kundër pushtetit”, - thotë Kadare, ndërsa shton se në diktatura si ajo ruse, apo shqiptare, disidenca ishte e dënueshme. “Por edhe pa qenë disident, mund të jesh në fakt rezistent me armët e letërsisë, siç është rasti i letërsisë më të mirë ruse të shek. XX. Ajo që shkatërronte në mënyrë të fshehtë gjumin e qetë të konformizmit të shumë njerëzve të thjeshtë”, - thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›