E Diel, 1 Nëntor 2026

Një përgjigje për ankesat nga Burgu i Shënkollit

SHËNIM I REDAKTORIT – Shënimi i mëposhtëm është një përgjigje e ish-drejtorit të Burgut Shënkoll, Islam Ismaili, për artikullin “Lejet me lekë, shkarkohen krerët e Burgut të Shënkollit”, botuar në 19 shtator 2008. Z.Ismaili thotë se “ka të pavërteta, që nxiten thjesht nga kërkesat antiligjore të një të dënuari të quajtur Florian Çupi”. Z.Çupi ka dërguar disa herë letra në redaksinë e Shekullit dhe në institucione të shtetit, ku ankohet për keqtrajtime dhe padrejtësi në lejet shpërblyese. Më poshtë është letra-përgjigje që ka dërguar në Kontakt, ish-drejtori i Burgut të Shënkollit

“…I dënuari Florian Çupi nga ligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, (i përmirësuar në Ligjin Nr.9888, dt.10 mars 2008) nuk përfiton leje shpërblyese për faktin se: - Ky i dënuar është përsëritës - përveç veprave penale “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje” ka konsumuar dhe veprën penale të “largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Është dënuar në total me 17 vjet burgim.

Veprën penale të largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit (neni 323/2 i Kodit Penal) e ka konsumuar në dhomat e izolimit të Komisariatit të Policisë Pukë duke vepruar në mënyrë të beftë ndaj punonjësit të policisë, duke e goditur e marrë çelësin dhe thyer derën e jashtme të dhomave të izolimit, dhe më pas është kapur nga grupi i gatshëm i policisë së Pukës. Për këtë vepër penale është dënuar me 3 vite burgim, gjë që përbën pengesë ligjore për përfitim leje shpërblyese pa shoqërim.

Këtij të dënuari i është kthyer përgjigje zyrtare dhe i është bërë e qartë e drejta e ankimit në gjykatë. E njëjta gjë është shkruar duke iu referuar këtij të dënuari edhe më 19 dhjetor 2007, ndërkohë që dy lejet e para u janë dhënë me rastin e festës së Bajramit të dënuarve Sh.Demiri (rom) nga fshati Gurëz, dhe L.Lleshit babai i 5 fëmijëve nga Dibra.

Dua të theksoj se data e faksimiles së letrës së të dënuarit Florian Çupi është e datës 10.09.2008, ditën që ministri ka firmosur lirimin tim nga detyra me motivacionin “për mungesë menaxhimi të Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Lezhë”, dhe jo siç shkruhet për korrupsion apo shkelje të tjera siç citohet i dënuari Çupi.

Sa për qëndrimin ndaj detyrës, dua të them se që nga data 05 prill 2007 e deri më 19.09.2008 që kam drejtuar këtë institucion kemi punuar me devotshmëri e ndershmëri dhe askujt nuk i është bërë padrejtësi, asnjë i dënuar nuk është lënduar as nga njëri-tjetri e as nga stafi policor, pos dëmtimesh që mund të jenë bërë nga lojërat e futbollit. Për lejet shpërblyese duhet të themi se nga 480 të dënuar 284 prej tyre i përfitojnë ato, dhe po t’u referohemi afateve vetëm 29 veta nuk i kanë përfituar për periudhën 19.02.2007 deri më 19.09.2008, pasi kanë patur masa disiplinore të pashlyera; 10 vetë nuk e kanë përfituar për shkak të gjendjes së tyre stresante, për të cilën mjeku nuk jep garanci, 3 sepse kanë humbur lidhjet me familjen apo janë të braktisur nga fëmijët e tyre.

Lejet, e përsërisim të audituara nga dikasteret përkatëse të drejtësisë, janë dhënë për të gjitha rastet që i parashtron ligji dhe për këtë Burgu i Shënkollit është inspektuar në mënyrë të vazhdueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ku e përgjithshmja ka rezultuar pozitive. Për 18 muaj ky burg ka patur 5 inspektime që kanë lënë shënime pozitive për punën...”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›