Barcelona me sytë nga Mesi, Reali rikuperon Kasijasin
Klubet spanjolle, të paqarta për formacionet në Champions
Dëmtimi i Leo Mesit ka vënë në vështirësi Barcelonën që do të ndeshet në mes të javës së ardhshme me PSG për të kaluar në gjysmëfinalen e Champions League. Ylli i katalanasve besohet se mund të rikuperohet deri në ditën e ndeshjes, por tekniku do të duhet gjithsesi të llogarisë një variant pa pikën më të fortë të ekipit. Nga ana tjetër, Reali i Madridit, që nuk rrezikon shumë në ndeshjen e kthimit me Gallatasarain, ka një zhvillim pozitiv sa i përket gjendjes fizike të lojtarëve, por kjo mund të ndikojë për keq në gjendjen psikologjike të tyre. Kapiteni Iker Kasijas, i cili pati përplasje të forta me teknikun Murinjo, është tashmë gati për të zënë vend në formacion. Por as skuadra, as trajneri, duket se nuk e kanë ndier shumë mungesën e tij dhe rikthimi mund të trazojë përsëri ujërat.
Në pritje të Mesit
Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, vazhdon riaftësimin e tij nga dëmtimi që mori në ndeshjen kundër PSG javën e kaluar. E enjtja ishte ditë pushimi për katalanasit, por Mesi u paraqit gjithsesi për tu stërvitur me fizioterapistin e skuadrës, Huanjo Brau dhe ka mundësi të jetë i gatshëm në ndeshjen e kthimit kundër PSG, e cila luhet në shtëpi, në Kamp Nou. Testet e së mërkurës treguan se problemi nuk ishte aq serioz sa kishte menduar klubi. Fillimisht mendohej se dëmtimi do ta mbante lojtarin tre javë jashtë fushës. Por ishte vetë argjentinasi, i cili nga faqja e tij zyrtare në Facebook, largoi të gjitha dyshimet: Do të kthehem së shpejti, fatmirësisht nuk ishte ndonjë dëmtim i rëndë. 25-vjeçari do të mungojë në ndeshjen e së shtunës kundër Majorkës, rrjedhimisht këtu do të ndalojë dhe rekordi i tij me 19 ndeshje rresht, ku argjentinasi shkruante emrin e tij në listën e golashënuesve. Pikërisht për mungesën e tij kundër Majorkës foli dhe zëvendëstrajneri i Barcelonës, Hordi Roura: Është e vështirë për tu thënë. Natyrisht shanset për ta parë në fushë kundër Majorkës janë të pakta. Mesi po trajtohet nga një specialist për të siguruar aktivizimin e tij në ndeshjen e kthimit në Champions League. Por Hordi Roura nuk është ende i sigurt nëse argjentinasi do të jetë në gjendje të luajë që nga minuta e parë kundër francezëve.
Rikthehet Kasijas
Trajnerit të Realit të Madridit, Hoze Murinjo, do ti duhet të përballet me një dilemë në prag të sfidës kundër Levantes këtë fundjavë. Kapiteni i skuadrës, Iker Kasijas, rikthehet nga dëmtimi në dorë. Portieri 31-vjeçar u dëmtua në dorën e majtë gjatë ndeshjes kundër Valencias, e vlefshme për Kupën e Mbretit më 23 janar. Që nga ajo ditë, gardiani i madrilenëve ka qenë Diego Lopez, për të cilin duhet thënë se ka luajtur shumë mirë. Por tashmë, sipas fjalëve të ndihmëstrajnerit, Aitor Karanka, Kasijas është i gatshëm të rikthehet pasi ka marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor i skuadrës muajin e kaluar. Ai është sërish në një nivel të lartë dhe është përfshirë në listën e lojtarëve për ndeshjen e ardhshme. Kasijas ka treguar më të mirën e tij në stërvitje këtë javë dhe ne jemi të lumtur që e kemi sërish në këtë fazë vendimtare të sezonit, tha Karanka në një deklaratë për shtyp. Përfshirja e tij në listën e të thirrurve nënkupton se Diego Lopez do të ulet në stol kundër Levantes. Por, ish-portieri i Vijarealit me shumë mundësi do të jetë sërish në formacion të parë në ndeshjen e kthimit kundër turqve të Gallatasarait në Champions League.
Barcelona me sytë nga Mesi, Reali rikuperon Kasijasin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email