Futbolli kosovar, Trepçja rihap kampionatin
Skuadra e Trepçes në kampionatin kosovar ka shënuar fitore në derbin e javës së 21-të, duke e mposhtur Dritën me rezultatin 2 me 0
Në këtë mënyrë minatorët kanë shfrytëzuar dështimin e Prishtinës duke e ngushtuar diferencën me vetëm tri pikë me skuadrën kryesuese në renditjen e Superligës kosovare. Trepça89 mbizotëroi gjatë tërë ndeshjes dhe krijoi raste të mira, por finalizoi vetëm dy prej tyre. Golat u shënuan nga Labinot Jetullahu, në minutën e 34-t dhe Samir Sahiti, në minutën e 81-të.
Ndërkohë, ky i fundit nuk e shfrytëzoi penalltinë e minutës së 20-të, kur gjuajti drejt në duart e Artan Latifit.Fitore para tifozëve të vet shënoi edhe Hysi në duel me skuadrën e dorëzuar, Lirinë, me rezultatin 1 me 0. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Përparim Livoreka, në minutën e 35-të. Përparësinë e terrenit vendës e ka shfrytëzuar edhe Hajvalia, duke e mposhtur Vëllaznimin në Kizhnicë, me rezultat 2 me 1.
Golat për Hajvalinë i shënuan Nikollë Dushi dhe Ndiav Ndiaje, derisa golin e vetëm për gjakovarët e shënoi Dardan Rogova në të 13-ën. Në anën tjetër, Llamkos Kosova nuk ka arritur ti gëzohet fitores në shtëpi, duke barazuar me Trepçën, 1 me 1. Valdrin Rashica kaloi vushtrriasit në epërsi, në minutën e 56-të, kurse shifrat i barazoi Liridon Voca, në minutën e 84-t, duke ia siguruar një pikë për stabilitet miqve.