Barcelona, në krizë financiare

Barcelona duhet të depozitojë në arkat e saj 200 milionë euro përpara se të mund të mendojë për nënshkrimin e lojtarëve të rinj gjatë tregut të transferimeve të kësaj vere. Gjigantët katalanas janë disi ngushtë nga ana ekonomike, e pas ardhjes së Robert Leëandoëski, Raphinha, Kounde, Christensen, Franck Kessie, Bellerin dhe Marcos Alonso verën e kaluar, Barça është e mbushur me borxhe që vlerësohen të jenë më shumë se 1 miliard euro.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta vendosi të shesë një pjesë të konsiderueshme të të drejtave të transmetimit të klubit në qershor për të lehtësuar disi gjendjen financiare, por presidenti i La Liga-s, Javier Tebas ka vazhduar të ushtrojë presion mbi ta. Klubi u gjobit me më shumë se 700,000 euro për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar të LaLiga-s në janar dhe Tebas tani e ka bërë të qartë seriozitetin e situatës së tyre.
“Që nga sot, Barcelona nuk ka hapësirë në buxhetin e saj për të shpenzuar në tregun e ardhshëm të transferimeve,” tha ai në samitin e zhvilluar në Londër të enjten. “Ne kemi vendosur që ata nuk mund të nënshkruajnë më lojtarë të tjerë. Në rastin e Barcelonës, ata duhet të heqin dorë nga shpenzimet për paga dhe transferime nga 650 milion në 450 milion euro.
Ata duhet të zvogëlojnë investimet e tyre në lojtarë dhe të shesin futbollistë sepse, për çdo shumë që ata mbledhin në shitje, mund të shpenzojnë 40 për qind të kësaj.” Kjo do të thotë që Barcelona duhet të heqë qafe 200 milion euro në shpenzime vetëm për të respektuar rregullat e La Liga-s. Edhe atëherë ata do të ishin në gjendje të shpenzonin vetëm 40 për qind të kësaj shifre.
Kjo mund të jetë seriozisht problematike për trajnerin e Barcelonës, Xavi. Nëse duan të përmirësojnë skuadrën e tyre, do të duhet të shesin një numër të konsiderueshëm lojtarësh.