E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pamposhturit

Juventusi përfundimisht është i pandalshëm. Skuadra Bianconere e ka vazhduar serinë sensacionale prej 44 ndeshjesh pa humbje, pasi barazoi të martën me Fiorentinën në Serie A. Skuadra Bianconere është futur në mesin e 10 ekipeve që kishin jetëgjatësinë më të madhe pa pësuar humbje. Listës së ekipeve të pamposhtura i prijnë ASEC Mimosas nga Afrika dhe Steaua Bucharest nga Rumania me nga mbi 100 ndeshje pa humbje.

Juventusi është duke bërë sensacion në futbollin italian, por edhe më gjerë. Skuadra italiane e nxori një barazim të martën mbrëma në Firenze ndaj Fiorentinës, duke e vazhduar serinë e jashtëzakonshme prej 44 ndeshjesh pa humbje. Pasi e përfunduan sezonin e kaluar pa humbje, duke e fituar njëkohësisht titullin e kampionit, Bianconerët e kanë nisur furishëm edhe sezonin aktual.

Kjo seri i ka futur ata në listën e 10 ekipeve me jetëgjatësinë më të madhe pa u mposhtur, të publikuar nga mediat italiane. Në vijim mund ta shihni këtë listë, së cilës i prijnë skuadra afrikane ASEC Mimosas dhe ajo rumune Steaua Bucharest me nga mbi 100 ndeshje pa humbje.

1. ASEC Mimosas: 108 ndeshje (1989-1994)

Ekipi nga Bregu i Fildishtë ishte i pandalshëm për pesë vjet, tre të parët nën drejtimin e francezit Philippe Troussier, i cili më pas drejtoi Nigerinë, Japoninë, Afrikën e Jugut dhe Marseillen. Me portierin e njohur Alain Gouamene, i cili më pas iu bashkua Toulouses së bashku me Donald Sie, Abdoulaye Traore e Basile Aka Kouame, Mimosas e fitoi titullin e kampionit gjashtë herë rresht në Bregun e Fildishtë, para se të ndalej nga SO Armee në humbjen 2:1.

2. Steaua Bucharest: 104 ndeshje (1986-89)

Rumunët patën një seri prej 104 takimesh në tri sezone në të gjitha kompeticionet, duke i fituar tre tituj dhe një kupë evropiane pasi e mundën Barcelonën me penallti në Sevilla. Përpos suksesit në kampionatin rumun, ekipi i Anghel Iordanescut tregoi sukses edhe në Evropë, duke shkuar deri në gjysmëfinale më 1988 dhe në finale në vitin pasues, ku u mposht 4:0 nga Milani legjendar i Arrigo Sacchit.

3. Celtic: 62 ndeshje (1915–17)

Celticu kishte kaluar momente magjike gati 100 vjet më parë, kur e kishte fituar tri herë rresht titullin e kampionit, duke mbetur i pamposhtur në 62 ndeshje. Është një tjetër kuriozitet për këtë klub: në vitin 1916 ata kishin zhvilluar dy ndeshje brenda një dite. Së pari kishin fituar ndaj Motherwell, para se të riktheheshin në shtëpi për ta mundur ekipin Raith Rovers 6-0. Trajneri Maley e kishte marrë në dorë këtë ekip në vitin 1897 dhe kishte qëndruar për rekord prej 43 vjetësh, duke i fituar 16 tituj të kampionit dhe 14 kupa të Skocisë.

4. AC Milan: 58 ndeshje (1991-93)

Arrigo Sacchi ia la në dorë ekipin Fabio Capellos, i cili e udhëhoqi për mrekulli Milanin që ta fitonte titullin e kampionit pa humbje në Serie A në sezonin 1991-92. Rekordi i tyre prej 58 ndeshjeve mori fund falë Faustino Asprillias dhe Parmas në vitin 1993, por kjo nuk shkaktoi ndonjë problem, sepse Don Fabio e mbrojti titullin në dy sezonet e ardhshme para se ta shijonte natën e paharrueshme të Athinës më 1994, kur ekipi i tij e kishte mposhtur Barcelonën me rezultat të thellë 4:0 në finale të Ligës së Kampionëve, e cila konsiderohet si paraqitja me e mirë e një ekipi në histori të këtij sporti.

5. Penarol: 56 ndeshje (1966-69)

Gjiganti uruguaian shkoi deri në 56 ndeshje pa humbje gjatë viteve 60’, duke e fituar ndërkohë Copa Libertadores dhe Intercontinental Cup më 1966. Ajo Libertadores kishte arritur pas njërit prej rikthimeve më të mëdha në histori të këtij kompeticioni. Ata ishin duke humbur 2:0 vetëm 25 minuta pa përfunduar ndeshja, ndërsa shënuan dy herë në 6 minutat e fundit, ndërkohë që fituan 4:2 pas lojës shtesë. Më pas e mundën Real Madridin 4-0 për t’u bërë kampionë të botës. Serisë së suksesit i erdhi fundi në shtator të vitit 1969, por jo para se trajnerët Roque Maspoli e Rafael Milans t’i shtonin dy tituj të kamponit në vitrinat e këtij ekipi.

6. Porto: 55 ndeshje (2010-12)

Andre Villas-Boas kishte menduar se do ta vazhdonte serinë pozitive edhe në Chelsea, kur e la Porton pasi i udhëhoqi ‘Dragonjtë’ duke e fituar ligën portugeze, kupën e shtetit dhe Europa Leaguen. Rruga filloi nën drejtimin e Jesualdo Ferreiras, ndërsa atë e ndoqi AVB. Më pas Porton e mori në dorë Vitor Pereira, i cili e prishi rekordin pas humbjes 3-1 nga Gil Vicente. Ky rekord e mposhti atë të Sir Bobby Robson, i cili kishte regjistruar 53 ndeshje pa humbje në këtë klub në periudhën në mes të viteve 1994 e 1996.

7. Ajax: 52 ndeshje (1994-96)

Van der Sar, Reiziger, binjakët De Boer, Davids, Seedorf, Rijkaard, Blind, Kanu, Overmars, Litmanen – Louis van Gaal. Ajaxi i famshëm luante përmendësh me këta yje dhe konsiderohet si ekipi më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë në Holandë. Gjatë sezonit 1994-95, ata e kaluan tërë edicionin pa humbje në Eredivisie dhe në Ligën e Kampionëve, ku e kishin takuar Milanin në finale, të cilin e mundën falë golit të zëvendësuesit 18 vjeçar Patrick Kluivert. Ata shkuan sërish në finale vitin tjetër, por humbën pas ekzekutimit të penalltive nga Juventusi.

8. Arsenal: 49 ndeshje (2003-04)

Arsene Wenger mund ta kujtojë me ëndje sezonin 2003/04, kur Thierry Henry me shokë nuk dinin të ndaleshin. Ata e fituan titullin e kampionit në Premierligë, duke e përfunduar sezonin pa humbje. Ata u ndalën nga Manchester United, i cili i mposhti 2:0. Më pas u eliminuan nga Chelsea në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por kjo nuk e zbeh periudhën legjendare të ‘Gunners’, që kishin në ekip lojtarë si Sol Campbell, Patrick Vieira, Dennis Bergkamp dhe njeriun e lindur për gol, Henry.

9. Juventus: 44 ndeshje (2011-)

Juventusi u bë vetëm ekipi i tretë në ligën italiane që e përfundoi sezonin pa humbje, duke e fituar Scudetton sezonin që shkoi. Djelmoshat e Antonio Contes do të mundohen ta vazhdojnë serinë prej 44 ndeshjeve pa humbje, pasi barazuan të martën mbrëma në Firenze ndaj Fiorentinës. ‘Zonja e Vjetër’ e vazhdoi formën e shkëlqyeshme, përkundër suspendimit të Contes prej 10 muajsh. Ata bënë rikthim sensacional javën e kaluar në Ligën e Kampionëve, duke e nxjerrë një pikë në Stamford Bridge ndaj kampionit aktual të Evropës, Chelsea, edhe pse ishin duke humbur 2-2. Përfundimisht Bianconerët nuk kanë të ndalur.

10. Boca Juniors: 40 ndeshje (1998-99)

Boca Juniors konsiderohet njëri prej ekipeve më të mira në Amerikën e Jugut. Nën drejtimin e trajnerit Carlos Bianci, ekipi verdh e kaltër kishte regjistruar 40 ndeshej pa humbje, duke i rrëmbyer dy tituj të kampionit në atë periudhë. Seria e tyre pozitive mori fund kur pësuan humbje nga Independiente. Por, kjo ka mbetur periudha më e mirë në histori të klubit, e cila vazhdoi me triumfin në tri nga katër Copa Libertadores dhe dy tituj të botës, duke i mundur Real Madridin më 2000 e Milanin me penallti më 2003. Trajneri aktual i Bocas, Julio Falcioni iu afrua atij rekordi, duke shënuar 33 ndeshje pa humbje dhe duke e fituar titullin Apertura sezonin që shkoi, po u mposhtën në shtëpi nga Independiente me rezultat 5-4 në shtëpi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›