Barcelona vazhdon marshimin
Derbi i dytë i Primera Divisionit spanjoll në javën e gjashtëmbëdhjetë i zhvilluar në El Madrigal ndërmjet Villarrealit dhe Barcelonës ka përfunduar me fitoren e mysafirëve me rezultat 2-1. Edhe në këtë takim kataluansit e treguan fuqinë e tyre, pasi nga disavantazhi arritën që të kthenin gjithçka në favor të tyre. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi pa gola, ndërsa ndryshe ndodhi në gjysmëlojën e dytë. Në minutat e para të pjesës së dytë (48') skuadra vendase krijoi epërsinë me golin e Canit, i cili pranoi një pasim nga Rossi për ta mposhtur portierin Victor Valdez.
Blaugranët i ktheu në lojë Seydou Keita, i cili shënoi golin e barazimit (54') pas një krosimi të Dani Alves. Për më tepër, kryesuesit e Ligës spanjolle shënuan edhe golin e epërsisë me anë të Thierry Henry (66'), i cili pranoi një pasim të Xavit dhe me elegancën e tij, e mposhti portierin e Villarrealit, Diego Lopez. Mbrojtësi i Barcës, Gerard Pique, mori dy kartonë të verdhë brenda dy minutash (71' dhe 73') dhe kjo i kushtoi me përjashtim nga ndeshja duke i lënë mysafirët me një lojtar më pak në fushë.
Megjithatë Nëndetësja e Verdhë nuk arriti të ndryshonte asgjë, përkundër disa rasteve të mira që pati deri në fund të takimit.