Mourinho i kënaqur me gjashtë muajt e parë në Inter
Menaxheri i kampionit të Serie A, Interit, Jose Mourinho, thotë se ai është i kënaqur pas gjashtë muajve të parë të kaluar në Itali. "Ndjehem më mirë se gjashtë muaj më parë. Kam mësuar shumë gjëra gjatë kësaj periudhe dhe jam këtu në Itali dhe jam shumë i lumtur", ka thënë Mourinho. Ish-trajneri i Chelseat erdhi në stolin e Interit në fund të sezonit të kaluar, pas shkarkimit të ish-trajnerit Roberto Mancini, edhe pse ky i fundit ua solli titullin e tretë me radhë zikaltërve. Portugezi kishte kaluar gati një sezon si i papunë, pas largimit në fillim të sezonit të kaluar nga stoli i Chelseat. Interi së fundi shënoi fitore prej 2-1 në fushë të Sienës, duke ruajtur avantazhin prej gjashtë pikësh ndaj Juventusit. në krye të tabelës së ligës italiane.