Kosovë,Tahiri:Beogradi synon 'Serbinë së madhe'
Kryetarja e ADK-së dhe diplomatja e njohur kosovare, Edita Tahiri në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve INA deklaroi se udhëheqësia kosovare duhet të pengojë çfarëdo tendencash për implementimin e planit gjashtë pikësh në Kosovë. "Sfidat e shtetëndërtimit janë komplekse, shumë të tilla na presin në të ardhmen, por mendoj se fuqia dhe vullneti jonë për ta bërë Kosovën shtet të sukseshëm është e pakontestueshme", deklaroi diplomataj Edita Tahiri. Sipas saj, diplomacia e Kosovës në këtë periudhë të paspavarësisë nuk ka arritur ende të ngritet në nivelin e përgjegjësive të saja, të cilat në mënyrë të veçantë ndërlidhen me momentin historik në të cilin ndodhet Kosova. "Përballë një situate komplekse në marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare formula e jonë diplomatike u desht të ngritet mbi një lidership diplomatik që dinë ti bëjë ballë detyrës. Mirëpo, zgjidhja që bëmë me ministrin e jashtëm është larg këtyre mundësive", theksoi Tahiri. Lëvizjet e fundit të Serbisë në planin diplomatik ajo thotë se duhët parë në dy nivele. "Në dukje, kjo mund të shihet si një përpjekje e Serbisë për ta bllokuar procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe për ta mbajtur rajonin në tensione dhe jostabilitete të vazhdueshme. Mirëpo, nëse shikohet më thellë angazhimet e diplomacisë serbe kanë të bëjnë me synimet për ta realizuar projektin e 'Serbisë së madhe'. Sado që epoka e Millosheviqit ka marrë fund zyrtarisht, mendësia Millosheviqiane vazhdon të dominoj kokat e elitës politike serbe", theksoi kryetarja e ADK-së. Edita Tahiri në intervistën për agjencinë INA deklaroi se Kosova jo vetëm në këtë fazë por që nga formimi i lëvizjes për pavarësi në vitet e 90ta ka në progamin e saj shtetëror dhe kombëtar angazhimin për avancimin e statusit të kombit shqiptarë në përgjithësi.