Bardhë e zi
Jeta nuk është bardhë e zi. Shpeshherë e kemi dëgjuar këtë shprehje. Ndoshta e kemi dëgjuar edhe në vegjëlinë tonë, por atëherë nuk e kuptonim. Veshët tanë në atë moshë dëgjonin vetëm përrallat ku princi i kaltër martohej me vajzën e bukur, apo përrallat e tjera ku e mira fitonte mbi të keqen. Kështu, me dëshirë mezi prisnim sa të rriteshim dhe të jetonim të lumtura në botën e mirë e të bukur të të mëdhenjve. Ah këta të mëdhenjtë...! Ndoshta duhet të na i kishin ndryshuar pak përrallat. Ndonjëherë mund t’i kishin bërë edhe më jetësore, edhe më të vërteta. Kështu që kur të rriteshim e të përplaseshim me ndodhitë e hidhura të jetës, të mos mbeteshim as të habitura, e as të tronditura nga shumëngjyrshmëria e ngjarjeve që rrokin të përditshmen tonë. Modeli që u është mësuar vajzave shqiptare në vogëli, ka qenë thuajse i përbashkët: “Do rriteni, do gjeni një punë, do martoheni e do bëni fëmijë”. Në rastin më të mirë, këtij varianti i shtohej edhe “Do studioni”, por pjesa tjetër ishte e njëllojtë. Në thelb ky është udhëtimi që ndjek një njeri gjatë jetesës së tij. Dhe kështu, një pjesë e mirë e femrave nisën udhëtimin e jetës së tyre, me këtë model të ngulitur në mendje. Por të papriturat e udhës ishin nga më të çuditshmet e nga më të padëgjuarat për veshët e tyre.
Një vajzë lë qytetin e saj periferik për t’u shkolluar në Tiranë, duke marrë mbi shpinë modelin prindëror: Shkollohu, gjej një punë, martohu. Por nga shkollimi e deri te gjetja e punës, vajza me tronditje shikon se asgjë nuk është si në përrallat e vegjëlisë. Asaj vetë i duhet të përplaset, të mundohet, të zhgënjehet nga njerëz të paskrupuj, gënjeshtarë, mashtrues, e ziliqarë dhe kur vjen te pika e martesës, vajza e ka të vështirë të bëjë një zgjedhje aq të lehtë si ato të përrallave.
Një tjetër vajzë arrin të plotësojë modelin prindëror, të martohet dhe të lindë një fëmijë. Por jetesa me bashkëshortin e bën të kuptojë se njeriu që ka në krah nuk është ai duhuri për të. Vajza nuk ishte përgatitur për një zhgënjim kaq të madh, dhe papritur e papandehur e gjen veten në krahët e dikujt tjetër, duke kryer një veprim që as nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se mund ta bënte ajo vetë, veprim që e komplikon edhe më shumë jetën e saj.
Një vajzë njëzetvjeçare me sukses dhe me hare largohet nga vatra familjare dhe ndërton folenë e saj. Pasi lind dy fëmijë, nëna e re përballet me tradhtinë bashkëshortore, të cilën deri më tani e kishte parë në telenovela dhe e kishte dëgjuar gjëkundi, por përralla e vegjëlisë i ishte ngulitur aq shumë në mendje, saqë ajo mendonte se nuk do të prekej asnjëherë nga një e keqe e tillë, që u ndodh vetëm të tjerave. Vetëm në një çast e gjithë ëndrra, i gjithë modeli, e gjithë jeta e ndërtuar mbi një shinë të caktuar thërrmohet copë e çikë dhe ajo s’ka ku të mbahet më.
Tanimë të rritura, të gjithë femrat kuptojnë se jeta nuk qenka bardhë e zi. Se në këtë jetë mund të tradhtosh, edhe të tradhtohesh, se dashuria rrezikon të marrë fund, se martesa mund të shkëputet në mes. Të gjitha këto ngjyresa të jetesës sonë, duhet të na shërbejnë për të kuptuar se zgjedhjet tona nuk duhet të jenë vetëm bardhë e zi. Kemi mundësinë të refuzojmë një gjë që s’na pëlqen. Kemi mundësinë të kundërshtojmë modelin fillestar dhe të ngremë një tjetër më të mirë, ashtu siç e duam vetë. Kemi shansin të kuptojmë vetveten dhe atë çfarë dëshirojmë e çfarë mendojmë se është më e mira për ne. Ne kemi mundësinë të rikrijojmë modele të tjera, të cilat të jenë të bazuara mbi dashurinë, sinqeritetin dhe të vërtetën. Por mbi të gjitha, ne kemi shansin që fëmijëve tanë, përveç përrallave “ku jetuan të lumtur e të gëzuar”, t’u tregojmë edhe ngjyrat e vërteta që përbëjnë jetesën e gjithsecilit nga ne.
#