E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: Gazetarët dhe operatorët po përballen vazhdimisht me dhunë dhe pengesa në raportimet nga protesta

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dënoi sot me forcë përdorimin e qëllimshëm të “sprajit irritues” ndaj dy gazetarëve, në momentin kur ata po ushtronin detyrën e tyre profesionale për të informuar publikun.

Bardhi publikoi në rrjetet sociale një video nga protesta e djeshme, ndërsa e cilësoi një veprim të tillë, cenim të rëndë të sigurisë së gazetarëve, të lirisë së medias dhe të së drejtës së publikut për t’u informuar.

“Klithmat e dhimbjes që dëgjohen në fund të videos janë të dy qytetarëve shqiptarë, të cilët po kryenin thjesht detyrën e tyre profesionale. Dënoj me forcën më të madhe përdorimin e qëllimshëm të “sprajit irritues” ndaj gazetares Glidona Daci dhe operatorit Jurgen Lapaj, në momentin kur ata po ushtronin detyrën e tyre profesionale për të informuar publikun”, u shpreh Bardhi.

Po ashtu, Bardhi theksoi se dhuna e ushtruar nga persona të veshur me uniformën e Policisë së Shtetit është një tjetër dëshmi shqetësuese e tejkalimit të çdo kufiri ligjor dhe të sjelljes së papranueshme nga ana e strukturave që kanë për detyrë të garantojnë sigurinë e qytetarëve, jo t’i dhunojnë ata.

“Veprime të tilla çnjerëzore ndaj ekipit të Klan News nuk janë raste të izoluara. Ato ndodhin në një klimë gjithnjë e më shqetësuese, ku gazetarët dhe operatorët që raportojnë nga protestat në Tiranë po përballen vazhdimisht me dhunë fizike, kërcënime dhe pengesa në ushtrimin e detyrës së tyre nga ana e Policisë së Shtetit”, shtoi ai.

Sipas Bardhit, liria e medias nuk mund të nëpërkëmbet dhe gazetarët nuk mund të trajtohen si objektiva të dhunës policore.

“Çdo akt i tillë duhet të hetohet me seriozitet, përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të vihen përpara ligjit. Heshtja përballë këtyre akteve është bashkëfajësi. Mbrojtja e gazetarëve dhe e lirisë së medias është një detyrim ndaj demokracisë dhe ndaj çdo qytetari që ka të drejtën të informohet lirisht”, u shpreh Bardhi.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›