Rama: Regjistër i Posaçëm Elektronik për personat nën hetim, u refuzohet dalja nga vendi

TIRANË, 25 tetor/ATSH-Maela Marini/ Me vendim të Këshillit të Ministrave krijohet Regjistri i Posaçëm Elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit, rendit dhe sigurisë publike.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të paketës së re ligjore kundër dhunës urbane.
Rama theksoi se regjistri administrohet nga Policia e Shtetit dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre personave.
“Mbi bazën e këtij regjistri, Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ushtrojë për çdo dhunues të drejtën që i jep ligji ‘Për kontrollin e kufirit shtetëror’ për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg për këto vepra”, u shpreh Rama.
Vendimi, sipas tij, parashikon edhe njoftimin e autoriteteve të huaja të vendeve ku udhëton personi, si dhe të strukturave akomoduese vendase dhe të huaja, për rrezikshmërinë që ai paraqet për sigurinë dhe rendin publik, përfshirë dhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren.
“Të jetë i bindur çdo dhunues, qoftë me banim në Tiranë dhe qoftë si ata me bluza të bardha e me maska që kishin ardhur dje nga Spanja, si mercenarë të paguar për të ushtruar dhunë dhe që tregonin muskujt në rrugën e Ministrisë së Arsimit se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë, pa mbaruar njëherë punë me drejtësinë këtu në Tiranë”, u shpreh Rama. /j.p/