Rama: Gjoba deri në 500 mijë lekë për ata që fshehin identitetin në tubime, masa për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

TIRANË, 25 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ndryshimet në ligjin “Për tubimet”, në kuadër të paketës së re ligjore kundër dhunës urbane.
Rama theksoi se ligji aktual për tubimet është i vitit 2001 dhe nuk parashikon asgjë për mjetet e teknologjisë dixhitale që sot janë bërë një komponent themelor i protestave.
Ndryshimet, sipas tij, i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh, të cilat aktualisht janë krejt simbolike krahasimisht me masat që marrin sot vendet e tjera europiane në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune dhe anarkie urbane.
Konkretisht lidhur me vendosjen e perimetrit të sigurisë rreth objekteve të ndjeshme, ligji i ri parashikon se kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe trashëgimisë kulturore.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se kur identifikon një thirrje për dhunë në rrjetet sociale në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke ofruar dhe mbështetje psikologjike, kur ky i fundit ka nevojë.
“Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi përfshirë ndjekjen penale mbi bazën e veprave penale ekzistuese, por dhe atyre të cilat janë propozuar në Kodin Penal”, tha ai.
Lidhur me identifikimin e personave të maskuar, Rama kujtoi se sot, bazuar në ligjin ekzistues, fshehja e identitetit të individëve në protestë është e ndaluar.
“Ne do ta përfshijmë këtë ndalim në Kodin Penal si vepër penale identike me atë të 27 vendeve europiane duke ndjekur modelin francez”, shtoi ai.
Rama tha se nuk ndodh në asnjë vend demokratik të Bashkimit Europian, që një grup njerëzish apo një turmë e caktuar të ushtrojnë arbitrarisht lirinë e protestës duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet, duke u penguar punën apo shkollën.
Në këtë drejtim, Kryeministri njoftoi se pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim do të gjobiten nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës.
“Mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës, ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës”, shtoi ai. /j.p/