E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligj i ri për dëmet e shkaktuara nga dhuna urbane, Rama: Gjoba deri në 500 mijë lekë

TIRANË, 25 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ligjin e ri për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve, i cili bazohet mbi parimin e thjeshtë: kush shkakton dëm e paguan.

Gjatë prezantimit të paketës së re ligjore kundër dhunës urbane, Rama u shpreh ky ligj i hartuar sipas modelit francez krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen.

“Nëse akti normativ adreson dëmet e të kaluarës së afërt, ligji i ri që kemi hartuar për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen. Mbi parimin e thjeshtë, kush shkakton dëm e paguan”, tha Rama.

Sipas tij, me ligjin e ri barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot.

“Ligji përfshin të gjitha tubimet në vende publike të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive ku vijnë si pasojë, dëme materiale mbi pronën publike apo private”, bëri të ditur kryeministri.

Nga ana tjetër, Rama sqaroi se “pa asnjë dyshim askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim”.

“Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit. Ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes, por nga ana tjetër çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimit të policisë do të përgjigjet financiarisht. Kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr, po thyhet dhe po shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës bashkë me ata që i kryejnë aktet e dhunshme”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se gjoba do të shkojë deri në 500 mijë lekë të reja.

“Përjashtohen sigurisht nga ky rregull gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë apo kalimtarët e rastësishëm. Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, këtë gjobë do ta paguajnë prindërit ose kujdestari sipas parashikimeve ligjore të Kodit Civil. Dhe kjo gjobë është titull ekzekutiv që hyn në fuqi menjëherë”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›